Oda e Mjekëve vendos flamurin gjigant “Liria Ka Emër”

Gjashtë ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Oda e Mjekëve i është bashkuar mesazheve publike të solidaritetit me ta.

Në fasadën e objektit të Odës është vendosur një flamur gjigant me emblemën e UÇK-së dhe mbishkrimin “Liria ka emër”.

Flamuri është vendosur në prag të 16 shtatorit, kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Vendosja e flamurit vjen në një kohë kur në Kosovë po shtohen aktivitetet dhe mesazhet publike në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë nga organizata, veteranë, artistë, biznese dhe qytetarë.

Mesazhi “Liria ka emër” është bërë një nga sloganet kryesore të aktiviteteve që po zhvillohen në prag të aktgjykimit.

Aktivitetet do të kulmojnë më 12 shtator me “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 14:00.

Ndërsa Kosova po vazhdon të numëroj ditët deri më 16 shtator. /Albanianpost.com

Read Previous

Energjia dhe karburantet shtrenjtojnë jetesën në Gjermani, inflacioni pranë 3%

Read Next

​“Skandal botëror”, Deco reagon ashpër ndaj listës së Topit të Artë