​“Skandal botëror”, Deco reagon ashpër ndaj listës së Topit të Artë

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, e ka cilësuar si “skandal botëror” mungesën e Pedrit dhe Raphinhas në listën e 30 kandidatëve për Topin e Artë 2026.

Ish-reprezentuesi portugez ka folur për këtë çështje gjatë një interviste në emisionin “El Món a RAC1”, duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij për faktin se dy prej lojtarëve kryesorë të Barcelonës nuk janë përfshirë në listën e publikuar nga “France Football”.

“Për mua është një skandal botëror që Pedri dhe Raphinha nuk janë në listë. Ka padrejtësi që ndodhin. Fakti që Pedri nuk është aty, me talentin që ka, më duket i pakuptueshëm”, ka deklaruar Deco.

Ndërkohë, drejtori sportiv i klubit katalanas beson se Lamine Yamal është kandidati kryesor për ta fituar çmimin individual më prestigjioz në futboll.

“Mendoj se Lamine është kandidati i madh. Ka fituar me Barcelonën dhe është kampion bote. Ishte vendimtar sezonin e kaluar dhe ka qenë lojtari më i mirë në La Liga. Nuk shoh asnjë dyshim. Mua më pëlqen futbolli. Është njësoj si kur fitonte Leo dhe Leo ishte më i miri. Në këtë rast nuk ka shumë për të diskutuar”, ka thënë Deco.

Pedri dhe Raphinha janë ndër mungesat më të mëdha në listën e 30 kandidatëve për Topin e Artë 2026, ndërsa Barcelona përfaqësohet nga Lamine Yamal, Pau Cubarsí dhe Ferran Torres. Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 26 tetor në Londër. /KosovaPress/

Read Previous

Oda e Mjekëve vendos flamurin gjigant “Liria Ka Emër”

Read Next

​Nga falimentimi tek 1 miliard euro, si u shndërrua Como në fenomenin e ri të futbollit