Dogana dhe Policia e Kosovës zbulojnë mbi dy kilogramë marihuanë në Vërmicë
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, duke vlerësuar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen efektive në drejtësi.
Avokati i Popullit ka vlerësuar se rritja e taksave gjyqësore mund të krijojë pengesa për qytetarët në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.
Në opinionin e publikuar të enjten, që trajton ndikimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, Avokati i Popullit thekson se, megjithëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kompetencë për miratimin e skemës së taksave, kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me garancitë kushtetuese dhe parimin e proporcionalitetit.
Shqetësim i veçantë, sipas opinionit, është fakti se të hyrat nga taksat nuk shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor.
“Taksat gjyqësore të përcaktuara me UA nr.03/2025 derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor, gjë që dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit. Për këtë arsye, nevoja dhe proporcionaliteti i rritjes së taksave duhet të arsyetohen në mënyrë të veçantë dhe të bazohen në vlerësime konkrete të ndikimit të tyre në qasjen efektive në drejtësi”, ka vlerësuar Avokati i Popullit.
Institucioni ka ngritur shqetësime edhe për efektet që mund të ketë rritja e tarifave, sidomos kur qytetarët duhet të paguajnë edhe për ushtrimin e mjeteve juridike.
Sipas opinionit, “rritja e konsiderueshme e taksave, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat e mospagesës së tyre mund të krijojnë pengesa disproporcionale”, veçanërisht për qytetarët që nuk kanë qasje në mekanizmat e përjashtimit nga taksat ose në ndihmën juridike falas.
Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit ka vlerësuar se ekziston rrezik që sistemi i ri, në formën aktuale, të ndikojë në mënyrë disproporcionale në të drejtën e qytetarëve për t’iu drejtuar gjykatave.
“Ekziston rrezik real që dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025, në formën aktuale, të kenë efekte disproporcionale në raport me të drejtën për qasje në drejtësi.”
Për këtë arsye, Avokati i Popullit i ka kërkuar KGJK-së që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore.
Qëllimi, sipas opinionit, duhet të jetë gjetja e një balance ndërmjet funksionimit efikas të sistemit gjyqësor dhe garantimit të qasjes së barabartë dhe efektive në drejtësi për të gjithë qytetarët.
Sa janë rritur taksat?
Udhëzimi i ri, i cili u njoftua nga KGJK-ja në fillim të këtij viti, ka sjellë rritje të tarifave në disa kategori të procedurave gjyqësore.
Për një padi me vlerë kontesti deri në 1,000 euro, më herët paguhej 20 euro, ndërsa sipas skemës së re, për kontestet nga 0 deri në 5,000 euro paguhen 60 euro.
Ndryshime ka edhe për kontestet me vlerë më të lartë. Për ato nga 50,001 deri në 100,000 euro, taksa është rritur nga 150 në 300 euro.
Ndërkohë, tarifa për padi për pengim posedimi është dyfishuar, nga 50 në 100 euro, kurse propozimi për sigurimin e provës tash kushton 100 euro, krahasuar me 30 euro më parë.
Rritje të tarifave ka pasur edhe në Gjykatën Komerciale. Për padi me vlerë kontesti deri në 25,000 euro, taksa është përcaktuar në 200 euro, ndërsa për kontestet nga 50,001 deri në 100,000 euro arrin në 500 euro. /RTKlive