Trump: AfD-ja në Gjermani është “në rritje” pas fitores në zgjedhje

Presidenti amerikan Donald Trump uroi dje partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), për fitoren në zgjedhjet në landin Saksoni-Anhalt, duke deklaruar se partia është “në rritje”.

Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump e quajti AfD-në një “parti populiste” dhe tha se mbështetësit e saj janë të lodhur nga rregullat “absolutisht të tmerrshme” të Gjermanisë për emigracionin.

Trump shkroi se AfD-ja dhe mbështetësit e saj janë në rritje dhe nuk do ta pranojnë më këtë situatë.

Ai e mbylli postimin me shprehjen “MGGA”, që duket se nënkupton “Make Germany Great Again”, një version i sloganit të tij “Make America Great Again” (MAGA).

Trump reagoi edhe gjatë natës së zgjedhjeve, duke publikuar një grafik që tregonte fitoren e AfD-së në Saksoni-Anhalt.

Marrëdhëniet mes AfD-së dhe administratës amerikane janë afruar, që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, e ka cilësuar Trump një model për t’u ndjekur.

Në shkurt 2025, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u takua me Weidel në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Vance kritikoi përjashtimin e partive populiste nga skena politike dhe paralajmëroi se kjo mund të nënkuptojë shpërfilljen e vullnetit të miliona votuesve gjermanë.

Trump ka ndjekur gjatë mandatit të dytë, një politikë të ashpër ndaj emigracionit dhe ka kritikuar vazhdimisht politikat e Gjermanisë për azilin dhe migracionin. /ATSH-DPA/

Read Previous

Ambasada e SHBA: Shqipëria, pjesë thelbësore e misionit të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit

Read Next

Euroleague gati për sezonin e ri, të gjithë në ndjekje të Olympiacos