Mbahet aktiviteti simbolik para selisë së EULEX-it në Prishtinë, kërkohet lirimi i ish-krerëve të UÇK-së

Organizata “Liria ka Emër” ka zhvilluar një aktivitet simbolik para selisë së EULEX-it në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi dhe respektim të asaj që e cilëson si të vërtetën historike të luftës së Kosovës.

Me pankarta dhe mesazhe në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, organizata ka përcjellë një mesazh të qartë në prag të 16 shtatorit, ditës kur Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin vendimin përfundimtar në rastin ndaj tyre.

Përfaqësuesja e organizatës, Flaka Fazliu, tha se lufta e UÇK-së dhe sakrifica e dëshmorëve nuk u bënë për pushtet, privilegje apo hakmarrje, por për lirinë e Kosovës.

“Dëshmorët tanë dhanë jetën që brezi im dhe i tërë vendi ynë të jetojë në liri. Ata nuk luftuan për privilegje, pushtet e as për hakmarrje, por luftuan për liri”, deklaroi Fazliu.

Ajo kritikoi mënyrën se si, sipas saj, po trajtohet historia e luftës në proceset gjyqësore që zhvillohen në Hagë, duke theksuar se viktima nuk duhet të vendoset vazhdimisht në pozitën e atij që duhet të dëshmojë pafajësinë.

“Ne kërkojmë drejtësi, por drejtësia nuk mund të jetë e drejtë nëse shkëputet nga historia. Nuk mund të ketë drejtësi nëse harrohet se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima”.

Në prag të vendimit, organizata e cilësoi pankartën e vendosur para selisë së EULEX-it si një mesazh demokratik se, sipas saj, Kosova nuk do të heshtë përballë përpjekjeve për shtrembërimin e historisë së luftës.

“Më 16 shtator ne nuk presim vetëm një aktgjykim, por presim një përgjigje ndaj një pyetjeje shumë të madhe: a do të triumfojë drejtësia apo padrejtësia do të marrë vulën e drejtësisë?”.

Ajo shtoi se procesi në Hagë, sipas saj, nuk mund të shihet vetëm përmes katër emrave që po gjykohen, por edhe përmes historisë së një populli që ka përjetuar përndjekje, vuajtje dhe masakra.

Por thirrjet nuk ndalen me kaq.

Më 12 shtator, vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit, në Prishtinë është paralajmëruar “Marshi për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Kështu, shtatë ditët e fundit para vendimit përfundimtar pritet të shoqërohen me aktivitete dhe mesazhe publike në Kosovë, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te 16 shtatori, dita kur pritet të marrë fund një proces gjyqësor i padrejtë që ka zgjatur prej vitesh. /Albanianpost.com

Read Previous

Islanda thërret ambasadorin e SHBA-së për shkak të hartës së Trumpit që tregon vendin nën flamurin amerikan

Read Next

​Dembele zbulon emrat favoritë për “Topin e Artë”