​PDK merr pjesë në vazhdimin e seancës, kërkon të konstituohet Kuvendi para 16 shtatorit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka konfirmuar se deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur më 9 shtator.

Pas mbledhjes se Grupit Parlamentar, Hamza tha se Kosova duhet të konstituohet Kuvendi para datës së vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, më 16 shtator.

“Për PDK janë dy data të rëndësishme, 12 shtator dhe 16. Me datën 12 do të ketë marrsh për drejtësi, që i tejkalon përcaktimet politike. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e imponuar për liri e pavarësi. Ata kanë paguar kosto personale e familjare. Përtej kësaj date kemi 16 shtator, data tepër e rëndësishme për Kosovën. Me të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Je jemi të bindur që në këtë kohë, Kosova ka nevojë të ketë Kuvend të konstituuar. Këtu po vendoset se si ne në të ardhmen do ta mbrojmë Kosovën”, tha ai.

Hamza konfirmoi pjesëmarrjen në seancën e 9 shtatorit.

Se a do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese vonesën e mbajtjes së seancës, ndonëse ai tha se varet nga vendimi i 16 shtatorit.

“PDK do të jetë në Kuvendin e Kosovës. Vazhdimisht kemi kërkuar. Presim që kjo mos të jetë një kalkulim i radhës politik, që të ftohet seanca dhe Kuvendi të mos konstituohet… Ka hapësirë për shqyrtim edhe vendimi për konstituimin e Kuvendit dhe për institucione të tjera. Kemi dërguar dhe i kemi fituar se kemi pasur të drejtë. Sa herë ta dërgojmë, duhet të na marrin seriozisht se prapë e fitojmë. A do ta dërgojmë këtë, do varet prej datave që i përmenda”, tha ai.

Ndërkohë, kreu i PDK bëri të ditur se deputetja Vlora Çitaku do të propozohet përsëri për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës. /KosovaPress/

Read Previous

TikTok sjell ndryshimin e madh, komentet nuk do të jenë më njësoj