Franca e shqetësuar nga fitorja e së djathtës ekstreme në Gjermani
Aleanca ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke ngritur shqetësimin për mënyrën e funksionimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Aktiviteti, i titulluar “Regjim parti, regjim shtet”, u shoqërua me vendosjen e fotografive të deputetëve të Vetëvendosjes, mbi të cilat shkruhej: “Free nga regjimi Kurti-Dejona”.
Në deklarimin para mediave, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se deputetët e Vetëvendosjes nuk janë të lirë të shprehin qëndrimet e tyre dhe e lidhi këtë me mënyrën e funksionimit të partisë.
“Mëngjesin e sotëm kemi ekspozuar atë që po ndodh. Këtë aktivitet sot e kemi quajtur ‘Regjim parti, regjim shtet’. Dhe pyetja themelore është: a keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë deputet ose deputete të Vetëvendosjes që e flet mendimin e tyre? Përgjigja është jo, sepse partia e tyre udhëhiqet me grusht të hekurt, pra është jodemokratike”, deklaroi Ramadani.
Sipas tij, ajo që Aleanca e konsideron si problem brenda Vetëvendosjes po reflektohet edhe në funksionimin e institucioneve shtetërore.
“Dhe ky nuk është problem veç i kufizuar veç në Vetëvendosje. Problemi këtu është se i njëjti model po tentohet në mënyrë të egër të vendoset në të gjitha institucionet e Kosovës, përkatësisht ky model me grusht të hekurt po tentohet të vendoset në shtetin e Kosovës”, tha ai.
Ramadani pretendoi gjithashtu se brenda grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka deputetë që, sipas tij, nuk pajtohen me mënyrën e funksionimit të grupit, por nuk ndihen të lirë të flasin publikisht.
“Sot, bashkë me të rinjtë e Aleancës, ne kemi vendosur ta bëjmë këtë aktivitet për të vendosur në pah faktin se deputetet e deputetët Vetëvendosjes janë të bllokuar brenda atij grushti të hekurt të grupit parlamentar të Vetëvendosjes dhe e vetmja gjë që mund të flasin në jetën e tyre është vetëm atë që u shkruhet tek ‘nëna parti’ ose kanë urdhër që të mos flasin, e nuk flasin pastaj”, u shpreh Ramadani.
Ai tha se, sipas tij, disa deputetë të Vetëvendosjes kanë shprehur pakënaqësi për këtë situatë në adresa të ndryshme.
“Ju them me përgjegjësi se jo rrallë dhe në adresa të caktuara deputetët e deputetët Vetëvendosjes kanë filluar të ankohen për bllokimin brenda grupit parlamentar dhe këtij grushti të hekurt që ndodh aty, respektivisht nuk pajtohen me atë që ndodh, por e thonë se nuk e kanë lirinë e shprehjes dhe nuk e kanë lirinë që të flasin për tema personale, përkatësisht mendime personale në lidhje me situatën e bllokimit të shtetit”, deklaroi ai.
Në fund, Ramadani theksoi se deputetët duhet të kenë mundësi të ushtrojnë mandatin e tyre pa kufizime politike brenda grupit.
“Pra, nuk kanë liri. Ne besojmë se secili deputet duhet të jetë i lirë që të ushtrojë mandatin e vet që ia ka dhënë populli i Kosovës dhe atë të flasë, të mendojë, të shprehet e të veprojë, e që në rastin konkret po shohim një situatë që është regjim partiak që synon të kthehet në regjim shtet”, përfundoi Ramadani. /RTKlive