Kica-Xhelili: LDK-ja nuk duhet të ndahet mes “atyre të kryetarit” dhe “gjashtë deputetëve”
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet lidhur me një incident të raportuar të dielën pasdite në parkingun e qendrës tregtare “Prishtina Mall”, ku ishin të përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, me gradën e kapitenit, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.
Pas njoftimit për rastin, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar rrethanat dhe për të mbledhur informacionet fillestare.
Sipas të dhënave të para, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ndërsa personat e përfshirë më pas janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.
Gjatë trajtimit të rastit, në IPK janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor ndaj njërit prej qytetarëve të përfshirë.
Sipas pretendimeve të para, pas shoqërimit në polici, ndaj njërit prej personave është përdorur forcë nga një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë.
Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së kanë qenë në kontakt me prokurorin kompetent dhe, nën drejtimin e tij, kanë ndërmarrë veprime hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit.
Zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së, ndërsa hetimet po zhvillohen në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Ndërkohë, hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent, nën dyshimin për veprën penale të sulmit.
Ndaj zyrtarit policor me gradën e kapitenit, veprimet hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së, nën dyshimin për veprën penale të kanosjes.
IPK ka bërë të ditur se hetimi ndodhet në fazën fillestare dhe se të gjitha veprimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar procedurat ligjore, të drejtat e palëve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë. /RTKLive