11 vende të BE-së propozojnë kufizimin e vetos

Njëmbëdhjetë shtete të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë, Gjermaninë dhe Francën, kanë paraqitur një propozim zyrtar për të kufizuar të drejtën e vetos në politikën e jashtme dhe të sigurisë për vendet anëtare.

Dokumenti u bën thirrje vendeve anëtare të zbatojnë pesë parime kryesore me synim shmangien e bllokimeve politike nga shtete të caktuara. Mekanizmi i propozuar mbështetet fillimisht te rritja e të ashtuquajturave “abstenimeve konstruktive”, që u jep mundësinë shteteve anëtare të shprehin mospëlqimin pa penguar miratimin e vendimit.

Gjithashtu, udhëzuesi kërkon ndalimin e bllokimeve të marrëveshjeve nga vendet anëtare për çështje që nuk kanë lidhje me temën. Në rastet kur zbatohet votimi me shumicë të cilësuar dhe një vend përdor të drejtën për të kundërshtuar për “arsye të jetike të politikës kombëtare”, ai do të detyrohet t’i arsyetojë ato me shkrim e në mënyrë të detajuar, për t’i hapur rrugë konsultimeve.

Dokumenti nxit Përfaqësuesen e Lartë Kaja Kallas të shfrytëzojë të gjitha hapësirat e traktateve për përshpejtimin e vendimmarrjes. Propozimi u është dërguar 16 vendeve të tjera anëtare për diskutim.

Shembulli konkret pse mekanizmi i propozuar është i nevojshëm është Maqedonia e Veriut, rrugëtimi i së cilës drejt BE-së bllokohet prej 18 vitesh nga mosmarrëveshjet për historinë e përbashkët, në fillim me Greqinë e tani me Bullgarinë.

Read Previous

Rritet sërish çmimi i naftës dhe benzinës në Kosovë

Read Next

Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend