Marrëveshja Kurti -Abdixhiku për Bekim Sejdiun, sot mblidhet edhe Grupi Parlamentar i VV

Pas marrëveshjes së arritur mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, sot pritet të mblidhet edhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

Gazeta Express merr vesh se, deputetët e Grupit Parlamentar të VV-së pritet të zhvillojnë sot një takim, ku një nga çështjet që pritet të diskutohet është pikërisht marrëveshja e arritur për kandidatin konsensual për president.

Kurti dhe Abdixhiku u pajtuan të hënën që profesori dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidati i përbashkët i VV-së dhe LDK-së për postin e presidentit.

Marrëveshja erdhi pas disa javësh diskutimesh mes dy partive, ndërsa Abdixhiku ka bërë të ditur se negociatat kishin nisur më 9 korrik dhe kishin për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e ngërçit institucional.

Sejdiu, ndërkohë, e ka pranuar kandidaturën dhe ka deklaruar se është i gatshëm t’i shërbejë Republikës së Kosovës.

Nëse Bekim Sejdiu, për të cilin u dakorduan LVV dhe LDK nuk arrin të zgjidhet president në tri rundet e votimit, ashtu si edhe kundërkandidati i tij, cilido që të jetë, Kushtetuta e Kosovës parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 ulëse.

Read Previous

KOMF me mesazh për institucionet më 1 Shtator

Read Next

“Pajtohen” SBASHK-u me Ministrinë e Arsimit