Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar një takim lamtumirës me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Në fokus të takimit ka qenë situata politike në Kosovë, ndërsa Palatova i ka përsëritur Kurtit thirrjen e Bashkimit Evropian për formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe tejkalimin e ngërçit politik.
Në njoftimin e BE-së thuhet se gjatë takimit është diskutuar edhe për avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës.
“Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e 🇪🇺 BE-së për formimin e institucioneve të 🇽🇰 Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE. BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës!”, thuhet në njoftim.