Evropianët marrin masat e para ndaj Bjellorusisë që e arrestoi gazetarin

Udhëheqësit evropianë kërcënuan të hënën se mund ta kufizojnë trafikun ajror ndërkombëtar mbi Bjellorusinë, mundësisht edhe transportin e saj tokësor, pasi një aeroplan pasagjerësh i kompanisë Ryanair u detyrua të ulej në Minsk, një incident të denoncuar nga vendet perëndimore si “pirateri e shtetit”.

“Kjo është në mënyrë efektive pirateri e aviacionit, e sponsorizuar nga shteti”, tha ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney, duke përdorur një gjuhë që bëri jehonë edhe në një numër vendesh të tjera. Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde tha: “Është e rrezikshme, e pamatur dhe natyrshëm BE-ja do të veprojë”.

Presidenca franceze tha se një kërkesë i ishte dërguar Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil për të pezulluar fluturimet ndërkombëtare mbi hapësirën ajrore bjelloruse. Ndalimi i transportuesit shtetëror Bjellorusi, Belavia nga aeroportet evropiane do të diskutohet gjithashtu, si dhe masa tjera të paspecifikuara lidhur me lidhjet e transportit tokësor.

Një kompani ajrore letoneze, airBaltic, njoftoi se nuk do ta përdorë më hapësirën ajrore bjelloruse dhe Avia Solutions e regjistruar në Qipro tha se linjat ajrore të saj me bazë në Lituani do të bënin të njëjtën.

Ministri i transportit i Lituanisë, Marius Skuodis, tha se “LOT” e Polonisë dhe linja ajrore hungareze “Wizzair” do të ndjekin shembullin e njëjtë, ndërsa njoftoi se të gjitha fluturimet në dhe nga aeroportet lituaneze duhet që nga mesnata të shmangin hapësirën ajrore bjelloruse.

Akoma, opsionet për hakmarrje perëndimore duken të kufizuara.

Read Previous

Serbët në Graçanicë nisin të marrin ndihmat financiare nga Serbia

Read Next

Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar