Grabitje në Gjakovë, një gruaje i merren para nën kërcënimin e thikës
Ushtria amerikane njoftoi se ka goditur një anije mallrash në Gjirin e Omanit, e cila dyshohet se po përpiqej të anashkalonte bllokadën detare të porteve iraniane.
Një avion luftarak amerikan goditi anijen, pasi ekuipazhi i saj shpërfilli paralajmërimet e përsëritura dhe tentoi të kalonte përmes bllokadës detare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zbatojnë ndaj Iranit, bëri të ditur Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), përgjegjëse për operacionet ushtarake amerikane në këtë rajon, përmes një postimi në rrjetin social X.
Sipas CENTCOM-it, anija e madhe e mallrave po lundronte në ujërat e rajonit, pasi më parë ishte nisur nga një port iranian.
Goditja e bëri anijen plotësisht të paaftë për të përdorur sistemin e saj të lëvizjes, ndërsa ekuipazhi nuk pësoi dëmtime, sipas ushtrisë amerikane.
Shtetet e Bashkuara rivendosën bllokadën detare ndaj porteve iraniane në mesin e korrikut, me synimin për të ushtruar presion mbi Teheranin që të rihapë Ngushticën e Hormuzit.
Kjo masë synon të kufizojë të ardhurat e Iranit nga eksportet e naftës.
Forcat amerikane kanë qëlluar vazhdimisht ndaj anijeve që përpiqeshin të lundronin drejt porteve iraniane, duke i detyruar disa cisterna nafte të ndryshonin kursin. /ATSH-DPA/