GLPS: Projektligji për Byronë e Pasurisë ka paqartësi, rrezikon të kontestohet sërish

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur shqetësime lidhur me përmbajtjen e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke vlerësuar se versioni aktual nuk i zgjidh të gjitha problemet e evidentuara më herët nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.

Sipas Liridon Salihit, menaxher i projekteve dhe hulumtues në GLPS, projektligji duhet të pësojë ndryshime thelbësore para se të miratohet përfundimisht në Kuvendin e Kosovës. Ai paralajmëron se paqartësitë e mbetura mund të krijojnë pasiguri juridike dhe të hapin rrugën për kontestime të reja kushtetuese.

Salihi ka kujtuar se projektligji është përballur dy herë me Gjykatën Kushtetuese, një herë për shkak të përmbajtjes dhe një herë për shkak të procedurës së miratimit. Sipas tij, pavarësisht konsultimeve publike, një pjesë e çështjeve të ngritura nuk janë adresuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Pavarësisht asaj që ka qenë edhe në procedurën e konsultimeve publike, vlerësojmë që Ministria e Drejtësisë nuk ka arritur që t’i adresojë të gjitha çështjet të cilat janë ngritur në periudhën e konsultimeve publike”, ka deklaruar Salihi.

Paqartësitë për zbatimin retroaktiv dhe statusin e Byrosë

Një nga problemet kryesore që, sipas GLPS-së, kërkon zgjidhje është përcaktimi i periudhës retroaktive të zbatimit të ligjit. Salihi ka thënë se projektligji nuk e qartëson mjaftueshëm se cilët zyrtarë dhe për cilën periudhë do t’i nënshtrohen procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ai ka përmendur disa periudha të mundshme, përfshirë zyrtarët që kanë ushtruar funksione publike nga viti 2008 e tutje, ata që kanë mbajtur pozita publike gjatë dhjetë vjetëve të fundit, si dhe personat që i kanë lënë këto pozita para pesë vjetësh.

Sipas tij, mungesa e një përcaktimi të qartë për këtë çështje mund të cenojë sigurinë juridike të qytetarëve që potencialisht do të përfshihen në procedura të tilla.

Shqetësime janë ngritur edhe për statusin juridik dhe organizimin e Byrosë. GLPS vlerëson se duhet të përcaktohen më qartë rregullat për funksionimin e këtij mekanizmi, si dhe kriteret për përzgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të Komisionit Mbikëqyrës.

GLPS kërkon zbatim të gjetjeve të Kushtetueses dhe rekomandimeve të Venecias

Një tjetër çështje që, sipas Salihit, duhet të merret parasysh gjatë rishikimit të projektligjit është përputhshmëria e dispozitave të tij me gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Ai ka veçuar edhe çështjen e ruajtjes së të dhënave financiare, duke rikujtuar se Gjykata Kushtetuese kishte ngritur shqetësime për periudhën gjatë së cilës bankat dhe institucionet e tjera financiare në Kosovë i mbajnë këto të dhëna.

Sipas tij, dispozitat e reja duhet të jenë në përputhje me këto gjetje, në mënyrë që zbatimi i ligjit të mos krijojë probleme juridike dhe praktike.

Megjithatë, Salihi ka theksuar se krijimi i një mekanizmi për konfiskimin civil të pasurisë së pajustifikueshme është i mundur, përderisa respektohen parimet kushtetuese dhe të drejtat e qytetarëve.

“Por çka është komplet e rëndësishme në këtë, në krejt këtë procedurë është që tashmë edhe prej Gjykatës sonë Kushtetuese, po edhe prej opinioneve të Venecias, Kosovës i është dhënë drita e gjelbër për me krijuar një mekanizëm të tillë të konfiskimit civil, por çështja mbetet që të rregullohet me një ligj i cili i garanton të gjitha parimet kushtetuese dhe garancitë që i jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Paralajmërohen kontestime të reja nëse nuk bëhen ndryshimet

Duke iu referuar versionit aktual të projektligjit, hulumtuesi i GLPS-së ka vlerësuar se ekzistojnë baza për ta kundërshtuar atë sërish në Gjykatën Kushtetuese, nëse paqartësitë nuk adresohen gjatë procedurave të mëtejshme parlamentare.

Ai ka kërkuar që Komisioni për Legjislacion dhe komisionet e tjera përkatëse të shqyrtojnë rekomandimet e GLPS-së para votimit në lexim të dytë.

Sipas Salihit, përcaktimi i periudhës retroaktive, qartësimi i statusit të Byrosë dhe kritereve për përzgjedhjen e drejtuesve të saj, si dhe garantimi i sigurisë juridike të palëve që do t’u nënshtrohen procedurave, janë çështje thelbësore që duhet të zgjidhen.

Ai ka shprehur shpresën se këto mangësi do të adresohen para përfundimit të procesit të miratimit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mekanizmave për luftimin e korrupsionit, por pa cenuar garancitë kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme më 5 tetor 2026. Në votim morën pjesë deputetët që votuan me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /tvsyrivision/

Read Previous

Turqia përgatit ndryshimin e madh, një legjendë pritet të marrë drejtimin e kombëtares

Read Next

Cakolli reagon pas etiketimeve ndaj gazetarit Jupolli: Kështu krijohet frika, pastaj autocensura