​Chelsea në prag të ndryshimit të pronësisë, vlera kalon 5 miliardë funte

Chelsea mund të jetë në prag të një ndryshimi të rëndësishëm në strukturën e pronësisë, pasi Todd Boehly dhe Mark Walter janë në bisedime për t’ia shitur aksionet e tyre pronarit shumicë, Clearlake Capital.

Sipas “Financial Times”, një marrëveshje e mundshme do ta vlerësonte klubin londinez në më shumë se pesë miliardë funte.

Boehly dhe Walter, së bashku me Clearlake Capital dhe Hansjorg Wyss, ishin pjesë e konsorciumit që bleu Chelsean nga Roman Abramovich në vitin 2022 për 2.5 miliardë funte.

Aktualisht, Clearlake kontrollon më shumë se 60 për qind të aksioneve të klubit, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga Boehly, Walter dhe Wyss.

Bisedimet e fundit mund t’i japin fund edhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes aksionarëve për drejtimin e klubit, përfshirë strategjinë e transferimeve, trajnerët dhe planet për stadiumin.

Një vlerësim prej mbi 5 miliardë funtesh do të përfaqësonte një rritje të ndjeshme të vlerës së Chelseat brenda vetëm katër vitesh. Klubi londinez, megjithatë, vjen pas një sezoni të vështirë në Premier Ligë, të cilin e përfundoi në vendin e 10-të.

Chelsea ka emëruar Xabi Alonson si trajner të ri dhe synon të rikthehet në garën për pozitat e larta në sezonin e ri.

Nëse marrëveshja realizohet, Clearlake Capital do ta ketë një kontroll edhe më të madh mbi klubin, duke e bërë strukturën e pronësisë së Chelseat dukshëm më të thjeshtë. /KosovaPress/

Read Previous

Ukraina pa ministër mbrojtjeje në mes të luftës: Zelensky ende hesht

Read Next

Lufta me Iranin “godet” Trumpin, mbështetja bie në 33%