Mungesa e kësaj vitamine mund ta dobësojë mbrojtjen e organizmit ndaj infeksioneve?
Një gjykatë në Mynih ka marrë një vendim që mund të krijojë precedent në nivel ndërkombëtar, duke dënuar kompaninë Suno AI, e cila gjeneron muzikë përmes inteligjencës artificiale, për shkelje të të drejtave të autorit.
Sipas vendimit, kompania do të duhet të zbulojë të ardhurat e përfituara dhe të dëmshpërblejë autorët, veprat e të cilëve janë përdorur pa leje. Akuzat lidhen me faktin se Suno AI ka trajnuar modelet e saj të inteligjencës artificiale duke përdorur në masë muzikë të mbrojtur nga e drejta e autorit.
Çështja u ngrit nga GEMA, organizata gjermane që administron të drejtat e autorit. Presidenti i saj, Tobias Holzmueller, e cilësoi vendimin si një verdikt me rëndësi globale, duke theksuar se ai mund të ndikojë në mënyrën se si modelet e inteligjencës artificiale trajnohen në të ardhmen.
Sipas Holzmueller, synimi i GEMA-s nuk është mbyllja e Suno AI, por krijimi i kushteve për negociata të barabarta me kompaninë, diçka që deri më tani nuk ka qenë e mundur. Çështja kryesore mbetet mënyra se si duhet të kompensohen autorët kur veprat e tyre përdoren për të trajnuar inteligjencën artificiale.
GEMA argumentoi në gjykatë se Suno AI krijon këngë sipas kërkesave të përdoruesve për një zhanër, stil ose atmosferë të caktuar, duke u bazuar në hite të njohura botërore si “Mambo No. 5” e Lou Bega, “Daddy Cool” e Boney M. dhe “Forever Young” e Alphaville. Sipas padisë, rezultatet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale janë shumë të ngjashme me versionet origjinale.
Kjo nuk është hera e parë që GEMA fiton një betejë ligjore ndaj kompanive të inteligjencës artificiale. Vitin e kaluar ajo fitoi një çështje në Mynih edhe kundër OpenAI, duke e akuzuar për riprodhimin e paligjshëm të teksteve të këngëve. OpenAI e ka apeluar atë vendim dhe çështja mbetet ende në shqyrtim.
Eksperti i pronësisë intelektuale në Universitetin e Amsterdamit, Martin Senftleben, tha për Deutsche Welle se rëndësia e çështjes qëndron edhe në faktin se padia nuk është ngritur nga një kompani private, por nga një organizatë kolektive që përfaqëson autorët. Sipas tij, kjo e bën veprimin ligjor më të fortë dhe më gjithëpërfshirës, pasi mbron jo vetëm artistët e njohur, por edhe krijuesit më pak të famshëm./KultPlus.com