Franco Baresi, një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Milanit dhe futbollit italian, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare, pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Lajmi u konfirmua nga Milai përmes një reagimi zyrtar, ku klubi i bëri homazhe ish-kapitenit dhe një prej figurave më emblematike të historisë së tij.
“Historia e Milanit është në lot për humbjen e Franco Baresit. Shembulli dhe thellësia e tij do të jetë përherë, si fanella e tij me numër 6, pjesë integrale dhe themelore e ADN-së dhe rrugës së gjithë Klubit. Ngushëllimet që AC Milan i shtrin të gjithë familjes së Franco Baresit janë të njëjtat që çdo tifoz rossoner i bën vetes në një orë kaq të vështirë”, thuhet në reagimin e klubit.
Baresi është një nga ikonat më të mëdha në historinë e Milanit, klub me të cilin zhvilloi 719 ndeshje zyrtare, rekord që e vendos mes futbollistëve më të spikatur të kuqezinjve. Gjatë karrierës së tij ai fitoi gjashtë tituj të Serie A, tre Kupa Evropiane, dy Kupa Ndërkontinentale dhe katër Superkupa të Italisë.
I lindur në vitin 1960, ish-mbrojtësi ishte pjesë e pandashme e brezit të artë të Milanit dhe veshi edhe fanellën e Kombëtares së Italisë në 81 ndeshje. Që nga viti 2020 ai mbante postin e nënkryetarit të nderit të AC Milan.
Ndarja nga jeta e Franco Baresit përbën një humbje të madhe për futbollin botëror, ndërsa emri dhe trashëgimia e tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së Milanit dhe sportit.
KosovaPress