Rama, flet për herë të parë për njohjen me Kushner dhe Ivanka Trump

Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për herë të parë detaje nga njohja me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe nisjen e interesimit për investime në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit.

Në një intervistë për rrjetin britanik Channel 4, Rama u kthye pas te viti 2020, kur u njoh me çiftin gjatë një ndalese në Shqipëri dhe më pas diskutimeve për mundësi investimi në vend.

Sipas kryeministrit, takimi i parë nuk kishte lidhje me projekte konkrete, por më vonë, gjatë Forumit Ekonomik të Davosit, Kushner shprehu interes për mundësitë që ofronte Shqipëria.

“U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por nuk ishin të interesuar për asgjë në termat e interesit direkt. Më vonë, në Davos, Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë po. Si do t’i thoja jo?”-tha Kryeministri.

Rama bëri të ditur se aktualisht nuk ka ende një projekt përfundimtar për Sazanin apo Zvërnecin, ndërsa materialet e publikuara më herët në internet kanë qenë vetëm një paraqitje fillestare e idesë.

“Çfarë u hodh në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë dhe dizajnerë peizazhesh, ndërsa po bëjmë edhe vlerësimin e pavarur të ndikimit mjedisor.”-shtoi Rama në intervistë.

Kryeministri u shpreh se synimi është që zhvillimi i këtyre zonave të bëhet në përputhje me standardet europiane dhe pa dëmtuar mjedisin.

“Qëllimi është të rigjenerojë atë, jo të brutalizojë një vend të bukur.”-u shpreh ai.

Lidhur me shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian dhe protestat kundër projektit, Rama tha se procesi duhet të respektojë direktivat e Bashkimit Europian, duke e konsideruar debatin publik si pjesë të një shoqërie demokratike.

“Është mirë që Komisioni Europian është i shqetësuar. Ideja që ne do të shkojmë në një drejtim që bie ndesh me direktivat e BE-së është absurde.”-tha më tej.

Në intervistë, Rama foli edhe për protestën e zhvilluar kundër projektit, duke e lidhur reagimin qytetar me rritjen e pritshmërive të shoqërisë shqiptare.

“Kam reflektuar shumë për këtë protestë. Njerëzit nuk dalin në rrugë vetëm për faktet, por edhe për pritshmëritë e tyre.”-u shpreh Kryeministri për protestën.

Projekti për Sazanin dhe Zvërnecin vijon të jetë në fazën e vlerësimeve dhe diskutimeve, ndërsa qeveria pritet të ndjekë procedurat për miratimet e nevojshme./Oranews

Read Previous

Publikohet raporti preliminar i të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë

Read Next

Real Madridi hap zyrtarisht negociatat me Man Cityn për transferimin e Rodrit