“New York Times”: Irani donte të sulmonte Ukrainën, ndërhyrja diplomatike e ndaloi

Irani kishte shqyrtuar mundësinë e goditjes së një porti ukrainas si kundërpërgjigje ndaj një sulmi ukrainas mbi një anije iraniane, por ndërhyrja intensive diplomatike ka shmangur, të paktën për momentin, përshkallëzimin e situatës. Kështu shkruan New York Times, duke cituar zyrtarë iranianë dhe perëndimorë.

Sipas raportimit, Ukraina goditi të shtunën një anije tregtare iraniane në Detin Kaspik, sulm në të cilin humbi jetën një marinar civil. Kievi ka akuzuar vazhdimisht Iranin dhe Rusinë se mbështesin njëri-tjetrin në operacionet ushtarake.

Pas incidentit, autoritetet iraniane premtuan se do të ndërmerrnin masa hakmarrëse. Burime të njohura me informacionet e shërbimeve të inteligjencës thanë se pritej që Irani të lëshonte një raketë balistike me një kokë të vogël luftarake drejt Ukrainës. Sipas tyre, sulmi do të kishte një karakter kryesisht simbolik, duke synuar të shkaktonte dëme të kufizuara.

Zyrtarë të tjerë kanë deklaruar se objektivi më i mundshëm i një sulmi iranian do të ishte një nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Megjithatë, sipas New York Times, kontaktet diplomatike të zhvilluara ditët e fundit kanë kontribuar në uljen e tensioneve dhe kanë shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit./express

Read Previous

Rasti Embolo vazhdon

Read Next

Ukraina merr dritën jeshile