Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, përmes zbatimit të planeve operative “Alkooli” dhe “Vera 2026”.
Gjatë periudhës së fundit 10 ditore, zyrtarët policorë kanë realizuar aktivitete vetëdijesuese, parandaluese dhe ndëshkuese, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Njoftimi i plotë:
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë vazhdon të mbetet e përkushtuar në ngritjen e sigurisë rrugore
Gjakovë, 28 korrik 2026
Në periudhën e fundit 10 ditore, zyrtarët policorë në kuadër të zbatimit të planeve operative “Alkooli” dhe “Vera 2026”, kanë realizuar aktivitete shtesë vetëdijesuese, parandaluese dhe ndëshkuese, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Gjatë zbatimit të këtyre planeve operative janë realizuar 1892 alkool teste, nga të cilat 123 drejtues të mjeteve kanë rezultuar duke e drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, ndaj të cilëve është zbatuar masa mbrojtëse e patentë shoferit. Gjithashtu, janë shqiptuar edhe 1580 gjoba të tjera për kundërvajtje të ndryshme në trafik, si: tejkalimet e pasigurta, tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i telefonit, mosvendosja e helmetës dhe kundërvajtje të tjera.
Në kuadër të implementimit të planit operativ “Vera 2026”, janë identifikuar edhe dy (2) raste të posedimit të narkotikëve dhe një (1) rast i armëmbajtjes pa leje.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor që të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.