Nuk u bë trajner i Italisë shkaku i lidhjeve me Rusinë, reagon Andrea Pirlo

Partneriteti komercial i Andrea Pirlos me kompaninë ruse të basteve Fonbet është arsyeja e kaosit që vazhdon të mbretërojë në futbollin italian.

Kombëtarja e madhe evropiane humbi Kupën e Botës për të tretën herë radhazi dhe Pirlo u zgjodh si trajneri që do t’ua rikthente lavdinë katër herë kampionëve të botës dhe dy herë kampionëve të Evropës. Historia sportive u bë politike dhe Pirlo mbeti pa punë.

Përpara se të ndodhte kjo, ai kishte rënë dakord për një kontratë katërvjeçare me Federatën Italiane të Futbollit me vlerë rreth 1.5 milion euro në sezon, plus bonuse.

Ai u zgjodh pasi Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola refuzuan ofertat dhe ranë dakord për një projekt që do të zgjaste të paktën deri në Kupën e Botës 2030. Pas kësaj, lindi çështja e bashkëpunimit të tij me Fonbet, për të cilën ai është ambasador global.

Bashkëpunimi në vetvete nuk ishte i paligjshëm. Pirlo, si një profesionist i pavarur, u lejua të lidhte një kontratë tregtare me Fonbet. Megjithatë, pozicioni i trajnerit të Italisë është i papajtueshëm me një kontratë aktive reklamimi me një kompani bastesh, kështu që ai do të duhej ta ndërpriste atë bashkëpunim përpara se të nënshkruante me Federatën Italiane të Futbollit.

Sulmi nga politikanët

Rasti mori një notë politike me reagimet e politikanëve italianë. Kreu i partisë Azione, Carlo Calenda, tha se njerëzit që morën pjesë në propagandën ruse pas vitit 2022 nuk duhet të mbajnë funksione kombëtare.

Kritikave iu bashkua edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, e cila beson se reputacioni i Pirlos ka kontribuar në normalizimin e regjimit të Vladimir Putinit.

Benedetto Della Vedova nga partia +Europa bëri thirrje që ai të ndërpresë kontratën me Fonbet, ndërsa Mauro Berruto nga Partia Demokratike theksoi se lidhja e trajnerit të ardhshëm me vetë industrinë e basteve është problematike.

Reagimi i Pirlos

E gjithë kjo histori e shtyu Pirlon të reagonte pasi mësoi se nuk ishte më kandidat për këtë pozicion.

“Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, kam vendosur të hesht, por pasi mësova mbrëmë se nuk jam më kandidat për stolin e kombëtares italiane, ndiej se duhet të sqaroj disa gjëra”.

“Bashkëpunimi profesional që ka shkaktuar polemika së fundmi lindi gjatë punës sime në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës komerciale dhe sportive. T’i atribuosh rëndësi politike këtij bashkëpunimi është si t’i atribuosh mua bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk janë të miat”.

“Më vjen keq që një vendim me natyrë sportive u shndërrua kaq shpejt në një debat publik në të cilin më u atribuuan pikëpamje dhe qëllime që nuk janë të miat”, shkroi Pirlo në profilin e tij në Instagram.

Italia është ende në kërkim të një trajneri. Sipas informacioneve që vijnë nga ai vend, favoritët kryesorë për këtë pozicion janë tani Roberto Mancini dhe Antonio Conte. /Telegrafi/

Read Previous

Ministri francez viziton KFOR-in në Kosovë: Shembull i mbështetjes evropiane për stabilitet

Read Next

Zbulohet biseda sekrete e Enver Hoxhës me Mehmet Shehun e Ramiz Alinë për Kosovën më 1981