Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se po planifikon të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që mbahet në New York këtë vjeshtë, pavarësisht se kryebashkiaku i Neë Yorkut, Zohran Mamdani, ka kërcënuar me arrestimin e tij.
Mamdani e kishte tërhequr këtë kërcënim javën e kaluar, duke pranuar se nuk kishte kompetenca ligjore për ta arrestuar Netanyahun në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), gjykata më e lartë në botë për krimet e luftës.
Ndërkohë lideri izraelit ka thënë për Fox News të dielën se “nuk ishte i shqetësuar” nga premtimi i mëparshëm i Mamdanit dhe e ka akuzuar kryebashkiakun se po “nxit urrejtje”.
“Ai supozohet të jetë kryebashkiaku i të gjithë banorëve të New Yorkut – hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve, të gjithëve, por ai po përpiqet ta kthejë një grup kundër tjetrit”, ka thënë Netanyahu.
Lideri izraelit u është referuar dy sulmeve me thikë në Neë York të enjten, ku një i dyshuar sulmoi me thikë një burrë hebre dhe një burrë aziatik, vetëm pak blloqe larg njëri-tjetrit.
Sipas policisë, i dyshuari thuhet se kishte bërtitur frazën “Allahu Akbar” gjatë kryerjes së sulmeve. Ai është akuzuar për krime të motivuara nga urrejtja ndaj secilës prej viktimave.
Të dy burrat u kanë mbijetuar sulmeve, të cilat janë dënuar nga drejtuesit e komuniteteve hebraike dhe aziatiko-amerikane të qytetit.
Pas ngjarjes, Netanyahu ka thënë se hebrenjtë e New Yorkut “janë të frikësuar tani”.
Mamdani, një mbështetës i vendosur i të drejtave të palestinezëve, e ka bërë kundërshtimin e operacionit ushtarak izraelit në Gazë, një nga shtyllat kryesore të fushatës së tij vitin e kaluar. Në një fjalim javën e kaluar, ai e ka quajtur Netanyahun “kriminel lufte”.
Si pjesë e këtij qëndrimi gjatë fushatës, Mamdani ka premtuar se do të zbatonte urdhërarrestin e vitit 2024 të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ndaj Netanyahut, me të cilin kryeministri akuzohej për kryerjen e krimeve të luftës në Gazë.
Izraeli i ka mohuar akuzat se ka kryer krime lufte në Gazë, ndërsa Netanyahu i ka cilësuar ato si “të pavërteta” dhe “të sajuara”.
Ushtria izraelite ka hyrë në Gazë pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023. Rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi dhe shifrat e së cilës konsiderohen të besueshme nga OKB-ja, mbi 73.000 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Gazë, përfshirë më shumë se 21.000 fëmijë.
Javën e kaluar, pasi “The New York Times” e kishte pyetur Mamdanin për premtimin e tij për ta arrestuar Netanyahun, ai ka thënë se administrata e tij kishte shqyrtuar legjislacionin dhe kishte arritur në përfundimin se nuk kanë autoritet të pavarur ligjor për ta zbatuar këtë urdhërarrest.
Mamdani më i pas i ka kërkuar qeverisë federale që ta kryente arrestimin, mundësi të cilën presidenti, Donald Trump, e ka hedhur poshtë. /Koha.net/