Rumania rrëzon dronin e tretë rus, presidenti i vendit i quan shkeljet “të patolerueshme“

Një pilot rumun i një avioni luftarak F-16 ka rrëzuar një dron rus mbi Detin e Zi, ka njoftuar të dielën ministria e Mbrojtjes e Rumanisë. Ky është incidenti më i fundit në një seri shkeljesh të hapësirës ajrore të vendit anëtar të NATO-s, të cilat presidenti Nicusor Dan i ka cilësuar si “të papranueshme dhe të patolerueshme”.

Rumania ndan një kufi tokësor prej 650 kilometrash me Ukrainën dhe, gjatë më shumë se katër vjetëve të luftës në Ukrainë, dronët rusë kanë shkelur vazhdimisht hapësirën e saj ajrore. Ndërkohë, Moska ka intensifikuar sulmet ndaj porteve ukrainase përgjatë lumit Danub.

Deri të premten, Rumania nuk kishte rrëzuar asnjë prej këtyre dronëve. Atë ditë, një pilot rumun arriti të rrëzonte në mënyrë të sigurt një dron në një zonë të pabanuar. Tashmë, vendi ka rrëzuar tre dronë brenda tre ditëve.

“Është e papranueshme dhe e patolerueshme që Federata Ruse të vazhdojë të shkelë hapësirën ajrore të Rumanisë, e cila është njëkohësisht hapësirë ajrore e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, ka shkruar presidenti Dan në rrjetin social X të dielën.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe ne i trajtojmë me seriozitetin më të madh, së bashku me aleatët tanë”, ka shtuar ai.

NATO-ja ka thënë se po hetonte detaje shtesë mbi incidentin e së dielës.

“Rrëzimi i dronëve ndodh në një kohë kur NATO-ja, Rumania dhe vende të tjera po blejnë në mënyrë aktive sisteme tokësore të interceptimit për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Aleancës dhe të vendeve anëtare”, ka thënë koloneli i Ushtrisë Amerikane Martin O’Donnell, zëdhënës i selisë ushtarake të NATO-s.

Presidenti Dan ka thënë se Rumania kishte identifikuar dronin e rrëzuar të premten si një mjet ajror pa pilot të tipit Shahed, i përdorur zakonisht nga forcat ruse. Hetimet për dronët e rrëzuar të shtunën dhe të dielën janë ende në vazhdim.

Ministria e Jashtme e Rumanisë ka njoftuar se kishte thirrur ambasadorin rus “pas këtyre shkeljeve të përsëritura”. 

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se, në incidentin e së dielës, droni është rrëzuar në mënyrë të sigurt 12 kilometra në verilindje të qytetit bregdetar Sulina, mbi ujërat territoriale të Rumanisë./koha

Read Previous

Respekti i madh edhe pas fitores: Anthony Joshua feston me flamurin shqiptar

Read Next

Burnham i gatshëm ta kundërshtojë Trumpin: Interesi i Britanisë vjen i pari