Federata Angleze e Futbollit (FA) ka vendosur ta mbështesë Thomas Tuchelin, pavarësisht eliminimit dramatik të Anglisë nga Argjentina në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.
Anglia u mposht me rezultat 2:1 në Atlanta, pasi kaloi në epërsi me golin e Anthony Gordon në minutën e 55-të, por Argjentina përmbysi gjithçka në fund të takimit me golat e Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, ky i fundit realizoi në minutën e 91-të për ta dërguar kampionen në fuqi në finalen e dytë radhazi.
Pas ndeshjes, Tuchel u përball me kritika të shumta nga opinionistët dhe tifozët për ndryshimet taktike, sidomos vendimin për ta kaluar skuadrën në një mbrojtje me pesë lojtarë menjëherë pas avantazhit. Anglia pati vetëm 12 për qind të posedimit të topit nga goli i Gordonit deri te goli vendimtar i Martinezit, duke i dhënë iniciativën Argjentinës.
Megjithatë, trajneri gjerman konfirmoi se do të vazhdojë ta drejtojë kombëtaren angleze deri në Kampionatin Evropian 2028, në bazë të kontratës që e lidh me federatën.
“Para së gjithash, Kupa e Botës nuk ka përfunduar. Kemi ende një ndeshje për të luajtur, edhe pse nuk është ajo që dëshironim. Pastaj vazhdojmë përpara. Kam kontratë deri në Evropianin që do të zhvillohet në shtëpi dhe pres me padurim atë sfidë, edhe pse tani është e vështirë të mendohet kaq larg”, deklaroi Tuchel.
Sipas ESPN, edhe drejtuesit e FA-së vazhdojnë ta mbështesin trajnerin. Kryeshefi ekzekutiv i federatës, Mark Bullingham, falënderoi ekipin për angazhimin gjatë turneut.
“Është dëshpëruese të jesh kaq afër. Lojtarët dhe Thomas dhanë gjithçka sot, ndërsa skuadra, stafi teknik dhe i gjithë ekipi punuan jashtëzakonisht shumë gjatë këtij Botërori. Dua t’i falënderoj të gjithë, si dhe tifozët tanë të mrekullueshëm në SHBA dhe në Angli. E kemi ndjerë mbështetjen e tyre në çdo hap dhe jemi të gjithë shumë të zhgënjyer që nuk arritëm më tej”, tha Bullingham.
Anglia do ta mbyllë pjesëmarrjen në Kupën e Botës me ndeshjen për vendin e tretë, e cila do të zhvillohet të shtunën në Miami kundër humbëses së gjysmëfinales tjetër. /KosovaPress/