Byroja për konfiskimin e pasurisë, IKD-ja kërkon ndryshime

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se draftligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka shënuar përparim krahasuar me versionet e mëparshme, por ende përmban mangësi që duhet të adresohen para miratimit të tij.

Në prezantimin e raportit “Pasuria e pajustifikueshme, drejtësia e justifikueshme”, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gëzim Shala, tha se projektligji është diskutuar prej gjashtë vitesh dhe është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese.

Ai theksoi se ndonëse janë reflektuar disa nga gjetjet e Kushtetueses, ende mbesin çështje serioze që kërkojnë rishikim.

“Gjetjet tregojnë se ende mbesin çështje të hapura në raport me këtë projektligj, përkundër faktit se qëllimi mund të jetë legjitim, është po ashtu legjitime që edhe ky projektligj të garantojë siguri juridike dhe mbrojtje nga arbitrariteti, në mënyrë që të jetë një mjet i sundimit të ligjit në fushën e luftimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe në asnjë rrethanë një mjet arbitrar në raport me subjektet që i nënshtrohen këtij ligji. Fillimisht, Instituti i Kosovës për Drejtësi e vlerëson përparimin e bërë të këtij drafti në raport me draftin paraprak në kuptim të inkorporimit të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë, ende mbesin çështje serioze të hapura, të cilat kërkojnë rishikim të këtij projektligji derisa i njëjti duhet të miratohet. Byroja do të ketë një mandat të rëndësishëm dhe për këtë arsye, edhe procedura dhe mandati i saj duhet të jetë i qartë, i saktë dhe që të mos të mos krijojë hapësirë të mjaftueshme për arbitraritet”, u shpreh Shala.

Më tej, Shala tha se draftligji duhet të garantojë pavarësi më të madhe të Byrosë, duke rekomanduar që drejtori dhe anëtarët e komisionit mbikëqyrës të zgjidhen me të paktën 61 vota në Kuvend.

Ai ngriti shqetësime edhe për paqartësitë në përcaktimin e termit “pasuria në masën më të madhe të lartë”, si dhe për mungesën e një divizioni të specializuar në Gjykatën e Apelit për trajtimin e këtyre rasteve.

“Një prej çështjeve kryesore që lidhet me pavarësinë e Byrosë është mënyra e zgjedhjes së vetë drejtorit të Byrosë dhe anëtarëve të komisionit mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Sipas draftit aktual, drejtori dhe këta anëtarë do të zgjidhen vetëm me një shumicë të thjeshtë të vetëm me një shumicë të thjeshtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, do të zgjidhen me gjysmën e deputetëve të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë. Në këtë kontekst, Instituti i Kosovës për Drejtësi rekomandon që kjo shumicë të ngrihet në mënyrë që të garantohet një gjithëpërfshirje më e madhe dhe po ashtu edhe një pavarësi më e madhe, në mënyrë që Byroja të paktën mos të konceptohet si një instrument i qeverisë. Për shkak se nëse ka një shumicë të thjeshtë, atëherë lehtësisht këta anëtarë, drejtori dhe anëtarët e komisionit mbikëqyrës mund të zgjidhen lehtësisht nga partia në pushtet, e cila automatikisht e ka dhe shumicën e nevojshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, Instituti i Kosovës për Drejtësi rekomandon që të paktën të kërkohen 61 vota për zgjedhjen e anëtarëve të e drejtorit të Byrosë dhe anëtarëve të komisionit mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga Kuvendi”, u shpreh Shala.

Sipas tij, projektligji ka bërë përmirësim edhe në përcaktimin e periudhës së verifikimit, në të cilën Gjykata Kushtetuese më parë kishte gjetur problematika./KosovaPress

Read Previous

Klopp takohet me Mbappen dhe zbulon prapaskenat: Ishim takuar në aeroplan privat, e doja te Liverpooli

Read Next

Kritika të tjera ndaj FIFA-s pas vendimit për futbollistin anglez