Trump dje e sulmoi Spanjën dhe kërcënoi me embargo, pak orë më pas e lavdëron: Është shumë bujare

Rruga nga “urrejtja në dashuri” e Donald Trump  me udhëheqjen e Spanjës, ka zgjatur vetëm disa orë. Pasi e quajti Spanjën një “partner të tmerrshëm” të mërkurën dhe kërkoi një ngrirje të plotë të tregtisë , presidenti amerikan e zbuti në mënyrë drastike tonin e tij pas samitit të NATO-s në Ankara. Arsyeja për sulmin verbal të Trump ishte vonesa e Spanjës në rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe refuzimi i saj për të përdorur bazat e përbashkëta ushtarake për të furnizuar avionët që marrin pjesë në luftën në Iran, shkruan El País.

“Spanja është një shtet i dështuar. Dhe meqë ra fjala, nuk dua të bëj biznes me Spanjën në të ardhmen. Dua t’i jap fund asaj. Spanja është një partnere e tmerrshme në NATO. Ju lutem ndaloni të gjitha tregtitë me Spanjën. Përfshirë vizitat. Nuk dua të kem të bëj fare me ta. Ata janë të pashpresë, janë njerëz të këqij”, tha Trump dje.

Vetëm disa orë më vonë, gjatë rrugës për në Washington nga Ankaraja, toni ndryshoi. “Duhet ta pranoj, kam pasur probleme me Spanjën dhe ende i kam, por sot Spanja i ka kompensuar plotësisht. Spanja ka qenë shumë bujare sot. Ata kanë rënë dakord për një kërkesë të rëndësishme financiare dhe nëse nuk do ta kishin bërë, ne nuk do të flisnim me ta…”, tha Trump.

Presidenti amerikan nuk u shpjegoi gazetarëve në Air Force One saktësisht se çfarë ishte “kërkesa e rëndësishme financiare”, por e konsideroi polemikat që ai vetë kishte filluar të kishin mbaruar.

Komentet e në  Air Force One ishin në kontrast të plotë me ashpërsinë e komenteve të tij të mëparshme. “Nuk dua asnjë biznes me ta, a është e qartë kjo?”, paralajmëroi presidenti republikan Sekretarin e tij të Thesarit, Scott Bessent, i cili u përgjigj me bindje: “Po, zotëri”.

Sipas Politico, ekipi i Bessentit, në bashkëpunim me Departamentin e Tregtisë dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë të SHBA-së (USTR), po punon për të krijuar një listë të produkteve spanjolle në rast se Trump vendos të vendosë një embargo tregtare ndaj Spanjës.

Takimi me udhëheqësit evropianë, gjatë të cilit Trump zhvilloi edhe takime dypalëshe, e zbuti qartë retorikën e tij. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e minimizoi shpërthimin e homologut të tij amerikan , i cili i quajti spanjollët “njerëz të këqij”.

Sánchez tha nga Turqia se takimi shkoi si zakonisht dhe se ai pati një bisedë të përzemërt me Trumpin.

“Pas asaj konference për shtyp të Trump, folëm për futbollin, për Kupën e Botës. Ishte një bisedë joformale, nuk kishte tension, gjithçka ishte me një ton miqësor”, tha Sánchez.

Sulmi i Trump ndaj Spanjës erdhi pas refuzimit të Kryeministrit Sánchez për të rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 2% në 5% të PBB-së, siç u ra dakord në samitin e NATO-s verën e kaluar.

Sánchez kishte paralajmëruar tashmë se nuk do ta arrinte atë prag, por siguroi se Spanja do t’i përmbushte objektivat operacionale që i ishin caktuar nga Aleanca, edhe me shpenzime më të ulëta. Përveç kësaj, qeveria spanjolle ishte ndër të parat që dënoi bombardimet amerikane dhe izraelite të Iranit, dhe gjithashtu refuzoi të lejonte përdorimin e bazave të përbashkëta ushtarake në territorin spanjoll për avionët luftarakë që merrnin pjesë në atë luftë./Reporteri.net/

Read Previous

Merz thotë se Gjermania ra dakord të blejë raketa amerikane Tomahawk

Read Next

Kane apo Haaland? Si krahasohen dy sulmuesit më të frikshëm të botës para përballjes së madhe