Europianët po përjetojnë një tjetër valë rekord të të nxehtit, por jo të gjithë po preken në të njëjtën masë. Një studim i ri nga Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) dhe Eurofound tregon se katër nga pesë europianë thonë se janë prekur nga moti ekstrem, megjithëse ndikimi ndryshon sipas rajonit.
Sipas studimit, më shumë se 85% e banorëve në Evropën Jugore dhe Qendrore-Lindore kanë përjetuar pasoja të lidhura me klimën, duke filluar nga valët e forta të të nxehtit në ambiente të hapura deri te temperaturat e padurueshme brenda banesave.
Zjarret pyjore dhe tymi i tyre janë raportuar nga 41% e të anketuarve në Greqi, 35% në Portugali dhe 20% në Qipro, ndërsa mesatarja në nivel evropian është vetëm 8%.
Aktualisht, Evropa Jugore po përballet me zjarre të mëdha pyjore, të cilat kanë detyruar mijëra njerëz të evakuojnë shtëpitë e tyre. Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet kanë ndaluar edhe praninë e spektatorëve në një pjesë të garës çiklistike Tour de France.
Më 3 korrik, satelitët e programit evropian të vëzhgimit të Tokës, Copernicus, regjistruan një re të madhe tymi që lëvizte drejt perëndimit mbi Oqeanin Atlantik, si pasojë e zjarreve që përfshinë veriperëndimin e Portugalisë.
Ndërkohë, rajone të tjera të Evropës përballen me rreziqe të ndryshme klimatike. Rreth 26% e të anketuarve në Austri dhe 19% në Slloveni thanë se janë prekur nga përmbytjet, krahasuar me mesataren prej 11% në Bashkimin Evropian.
Studimi thekson se ndikimi i ngjarjeve ekstreme klimatike nuk varet vetëm nga vendndodhja gjeografike, por edhe nga faktorë si mosha, gjendja shëndetësore, niveli i të ardhurave, cilësia e banesave dhe aftësia e komuniteteve për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike. Këta faktorë përcaktojnë se sa të ekspozuar dhe sa të cenueshëm janë njerëzit përballë valëve të të nxehtit, zjarreve apo përmbytjeve, shkruan Euronews./express