Numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ka shënuar rritje gjatë muajit maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë majit të këtij viti në hotele janë regjistruar gjithsej 69.081 vizitorë, prej të cilëve 25.026 ishin vizitorë vendorë dhe 44.055 vizitorë të huaj.
Krahasuar me majin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 61.931 vizitorë, numri i përgjithshëm i mysafirëve në hotele është rritur për 11,5 për qind.
ASK bën të ditur se gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 155.599 net-qëndrime. Nga to, 88.957 ose 57,2 për qind janë realizuar nga vizitorët e huaj, ndërsa 66.642 net-qëndrime, përkatësisht 42,8 për qind, nga vizitorët vendorë.
Sa i përket turistëve të huaj, numri i tyre është rritur për 18,1 për qind në krahasim me majin e vitit 2025. Në total, gjatë majit në hotelet e Kosovës kanë qëndruar 44.055 vizitorë të huaj, ku pjesa më e madhe kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra. /KosovaPress/