Nga 2011 në 2024 – çfarë ndryshoi në popullsinë dhe jetën në Gjakovë?
Qeveria e Spanjës do të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, si pjesë e një pakete të re masash për mbrojtjen e të miturve në mjedisin dixhital.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Pedro Sánchez, i cili njoftoi se ndryshimet do të përfshihen në Ligjin e ardhshëm për Mbrojtjen e të Miturve në Mjedisin Dixhital.
Sipas Sánchez, ligji do të mbështetet në tre masa kryesore. E para parashikon ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga personat nën 16 vjeç.
Masa e dytë synon algoritmet dhe mënyrën se si platformat teknologjike u shfaqin përmbajtje përdoruesve. Qeveria planifikon të ndëshkojë manipulimin e algoritmeve dhe rritjen artificiale të shtrirjes së përmbajtjeve të paligjshme.
Ndërkaq, masa e tretë vendos përgjegjësi penale për drejtuesit e platformave teknologjike në rast se nuk heqin përmbajtjet e paligjshme nga platformat e tyre.
“Po bëjmë përparim në mbrojtjen e të miturve tanë në mediat sociale. Duke përmbushur atë që njoftuam në shkurt, sot po përfshijmë tre masa kryesore në Ligjin e ardhshëm për Mbrojtjen e të Miturve në Mjedisin Dixhital”, deklaroi Sánchez.
Ai u shpreh gjithashtu kritik ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë, duke theksuar se qeveria e tij synon të vendosë rregulla më të forta për hapësirën dixhitale.
“Kjo qeveri nuk do t’u dorëzohet tekno-oligarkëve. Ne do ta transformojmë hapësirën dixhitale në një mjedis të sigurt për të rinjtë tanë”, tha kryeministri spanjoll.
Nëse miratohet, ligji do ta bëjë Spanjën një nga vendet evropiane me rregullat më të rrepta për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit dhe përgjegjësinë e platformave dixhitale./KultPlus.com