Sekretari amerikan i Mbrojtjes kishte planifikuar të njoftonte shkurtime të reja të trupave në Evropë, por propozimi u refuzua nga zyrtarët më të lartë të administratës Trump.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte planifikuar të bënte një “njoftim bombë” gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel muajin e kaluar, duke shpallur reduktime të reja të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, raporton Wall Street Journal.
Sipas gazetës, SHBA po shqyrtonte shkurtime që do të shkonin përtej anulimit të vendosjes së një brigade të blinduar në Poloni dhe tërheqjes së një brigade këmbësorie nga Rumania.
Megjithatë, plani i Hegseth u refuzua pasi iu paraqit Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, i cili njëkohësisht ushtron edhe detyrën e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të presidentit Donald Trump, si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës.
Në vend të shpalljes së reduktimeve, Hegseth njoftoi se Pentagoni do të zhvillojë një rishikim të plotë të vendosjes së forcave amerikane në Evropë, proces që pritet të zgjasë deri në gjashtë muaj.
Sipas Wall Street Journal, episodi tregon se administrata Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi ritmin dhe shkallën e mundshme të reduktimit të trupave amerikane në kontinent. Ndërkohë, deklaratat e Hegseth kanë shkaktuar shqetësim te aleatët evropianë dhe në Kongresin amerikan, përfshirë edhe republikanë të profilit të lartë, të cilët paralajmërojnë se një tërheqje e tillë mund të dobësojë NATO-n dhe të inkurajojë Rusinë.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se Hegseth u kujdes që mesazhi i tij të ishte në përputhje me objektivat e presidentit dhe nuk dëshironte të kufizonte hapësirën e tij vendimmarrëse.
Çështja e pranisë ushtarake amerikane në Evropë dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet aleate pritet të jenë ndër temat kryesore të takimit të Donald Trump me liderët e NATO-s në Ankara javën e ardhshme.
Zyrtarët e NATO-s shpresojnë që samiti të tregojë unitet mes aleatëve dhe mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën, por shqetësohen se tensionet me administratën Trump mund të dominojnë axhendën. Sipas raportimeve, po shqyrtohet edhe mundësia e anulimit të planit për mbajtjen e samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Shqipëri.
Strategjia e re e mbrojtjes e Pentagonit, e publikuar në janar, sinjalizon një reduktim gradual të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, ndërsa fokusi strategjik zhvendoset drejt rajonit të Indo-Paqësorit. Objektivi është që vendet evropiane të marrin një rol më të madh në mbrojtjen e kontinentit.
Në maj, Hegseth anuloi vendosjen e një brigade të blinduar amerikane në Poloni, vendim që shkaktoi reagime të forta në Kongres dhe pakënaqësi në Varshavë. Sipas Wall Street Journal, presidenti Trump më pas e kontaktoi Hegseth për të kërkuar shpjegime, duke e pyetur pse po dëmtonte marrëdhëniet me një aleat të rëndësishëm. Më vonë, Trump njoftoi dërgimin e 5 mijë trupave shtesë në Poloni, megjithëse kjo lëvizje ende nuk është zbatuar.
Sipas gazetës, Hegseth dhe këshilltari i tij Elbridge Colby mbeten mbështetësit kryesorë të reduktimit të forcave amerikane në Evropë, me argumentin se SHBA duhet të përqendrojë më shumë burime në përballjen me Kinën.
Planet e Pentagonit për reduktimin e trupave kanë nxitur reagime dypartiake në Kongres. Ligjvënësit kanë propozuar masa që do ta ndalonin Departamentin e Mbrojtjes të ulte numrin e trupave amerikane në Evropë nën 76 mijë pa një vlerësim të detajuar të rrezikut dhe pa miratimin përkatës nga drejtuesit ushtarakë amerikanë.
Duke folur në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Hegseth paralajmëroi se rishikimi do të jetë gjithëpërfshirës.
“Ky do të jetë një rishikim substancial. Ai synon të sigurojë që NATO të ecë me shpejtësi drejt një modeli ku Evropa merr rolin udhëheqës dhe përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj”, deklaroi ai./Panorama/