​Ish-delegatët e 2 Korrikut kërkojnë unitet politik dhe formimin sa më të shpejtë të institucioneve

Në 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, ish-delegatët e asaj kohe u kanë bërë thirrje deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës që të lënë anash interesat personale e partiake dhe të konstituojnë sa më parë institucionet e reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ish-delegati Jakup Ballatovci tha se deputetët duhet të jenë unifikues dhe të vendosin interesin shtetëror mbi atë personal, duke kujtuar unitetin që, sipas tij, karakterizoi delegatët e vitit 1990.

“Apeloj që të jenë unifikues. Të jenë në nivelin tamam të deputetit dhe t’i kenë interesat shtetërore dhe jo personale. Si popull, si delegat i ish asaj kohe kemi qenë unik dhe kemi bërë vetëm çështjen kombëtare dhe jo personale. Apeloj që brenda kohës së shkurt të konstituohen organet shtetërore”, thotë ai.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-delegati Nezir Sallahu, i cili tha se uniteti është çelësi për zgjidhjen e çdo sfide politike dhe shtetërore. Ai rikujtoi se delegatët e asaj kohe arritën rezultate të rëndësishme falë bashkimit, pavarësisht rrethanave të vështira në të cilat vepronin.

“Porosia ime është që të jenë bashkë. T’i zgjidhin problemet bashkë pasi pa unitet nuk ka asgjë. Prandaj i lus të jenë unik për çdo çështje, qoftë politike, ekonomike dhe të gjitha. Ne kemi qenë shumë unik pasi mos me qenë unik nuk do t’i kishim mbërri me bërë këto rezultate dhe punë të mëdha. Në atë kohë kur kemi shpallë Deklaratën Kushtetuese këtu kanë qenë në ndërtesa plot me snajper”, deklaron Sallahu.

Ndërkaq, ish-delegati Agush Balaj u bëri thirrje deputetëve që të përkushtohen në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe të punojnë për interesin e qytetarëve. Ai kërkoi që pas zgjedhjeve, të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet presidenti, duke apeluar që përfaqësuesit politikë të mos udhëhiqen nga egoja apo interesat partiake.

“Tani iu apeloj deputetëve të zgjedhjeve të 7 qershorit, që s’dihet a do të bëhet certifikimi i tyre, që çdo njeri të përkushtohet në aspektin profesional dhe t’i zbatojë interesat e bazës nga vjen. Me qëllime të caktuara, për zhvillim ekonomik, arsim dhe drejtësi…. Janë bërë zgjedhjet, të konstituohet Kuvendi, formohet qeveria dhe të zgjidhet presidenti, mos të bëhen egoistë, pa marrë parasysh cila parti”, potencon ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.

Nga këto zgjedhje partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, që ka fituar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës me 19.44% ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca me 6.74% ka fituar shtatë ulëse.

Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.

Zgjedhjet e 7 qershorit janë mbajtur pikërisht për shkak të dështimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani. /KosovaPress/ 

Read Previous

Zelensky: I kërkova SHBA-së licensën për të prodhuar raketa “Patriot”

Read Next

​Popullsia e Kosovës po plaket, mosha mesatare pritet të arrijë 49 vjeç deri më 2060