Pushimet për hidratim, të cilat janë kritikuar shpesh gjatë Kupës së Botës, mund të kenë luajtur një rol vendimtar, në përmbysjen e rezultatit të Anglisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos, shkruan BBC.
Kur u dha pushimi i parë në ndeshjen e fazës së 1/16-ve, tifozët reaguan me fishkëllima.
Një pjesë e tyre kundërshtonin vetë ndërprerjet, ndërsa të tjerë ishin të pakënaqur me paraqitjen e dobët të Anglisë.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel pësoi gol, që në minutën e shtatë dhe po haste vështirësi në lojë.
Pushimi i parë, i dha trajnerit gjerman, mundësinë të mblidhte futbollistët, të korrigjonte gabimet dhe të riorganizonte ekipin.
Edhe pushimi i dytë pati ndikim. Në 15 minutat e fundit, Anglia shtoi presionin ndaj kundërshtarit dhe Harry Kane realizoi dy gola, duke përmbysur rezultatin në 2-1 dhe duke siguruar kualifikimin për në 1/8-at e finales, ku do të përballet me bashkëorganizatoren, Meksikën.
Ish-sulmuesi i Anglisë, Alan Shearer tha gjatë transmetimit të ndeshjes se, pushimi kishte ardhur në momentin e duhur për ekipin.
“Thomas Tuchel foli me secilin lojtar, sepse deri në atë moment askush nuk po luante në nivelin e duhur. Anglia ishte e ngadaltë, bënte shumë gabime dhe po ndëshkohej. Duhej të ndryshonte diçka”, tha ai.
Dhe ndryshimi erdhi. Para pushimit të parë, Anglia nuk kishte regjistruar asnjë goditje drejt portës dhe asnjë prekje të topit në zonën kundërshtare.
Deri në fund të pjesës së parë, loja u përmirësua ndjeshëm, me tetë goditje dhe 20 prekje në zonë.
E njëjta tablo u pa edhe në pjesën e dytë. Para pushimit të dytë, Anglia kishte vetëm dy goditje dhe shtatë prekje në zonën kundërshtare.
Pas rifillimit të lojës, krijoi gjashtë goditje të tjera dhe 13 prekje në zonë, ndërsa Kane shënoi dy golat e fitores.
Gjatë të dy pushimeve, Tuchel i mblodhi lojtarët rreth vetes dhe u dha udhëzime të detajuara.
“Unë përpiqem ta shfrytëzoj këtë kohë, edhe pse nuk jam shumë i apasionuar pas këtyre ndërprerjeve. Më pëlqen futbolli kur loja rrjedh natyrshëm, pa ndërprerje. Por, nëse këto pushime ekzistojnë, pse të mos i përdorësh në favorin tënd? Sot lojtarët ishin të qetë, dëgjonin me vëmendje dhe ishin të përqendruar”, tha trajneri i Anglisë.
Sipas tij, në shumë raste pushimet bëhen të rrëmujshme, pasi të gjithë përpiqen të japin këshilla njëkohësisht, por këtë herë ekipi reagoi në mënyrën e duhur.
Sulmuesi Eberechi Eze pranoi se këto ndërprerje, mund të ndikojnë në ritmin e ndeshjes.
“Ndonjëherë të japin mundësinë të marrësh frymë dhe të ndryshosh ritmin e lojës. Këtë herë na ndihmuan, por janë pjesë e futbollit”, tha ai.
Edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vlerësoi mënyrën se si Anglia i shfrytëzoi pushimet.
“Pas një fillimi të vështirë në të dyja pjesët, Anglia u riorganizua gjatë pushimeve për hidratim dhe më pas mori kontrollin e lojës, duke shënuar dy herë në 15 minutat e fundit. Këto ndërprerje u japin lojtarëve mundësinë të pushojnë dhe trajnerëve një moment të vlefshëm për të komunikuar me ekipin”, deklaroi ai.
Megjithatë, jo të gjithë tifozët janë të bindur për dobinë e tyre. Shumë besojnë se pushimet po përdoren më tepër për arsye komerciale, pasi transmetuesit televizivë i shfrytëzojnë për reklama. /ATSH/