”Axios”: Trump synon të ndalojë hyrjen e grave shtatzëna të huaja në SHBA

Credit: Evelyn Hockstein/Reuters

Pasi humbi çështjen për shtetësinë sipas të drejtës së lindjes në Gjykatën Supreme, bashkëpunëtorët e presidentit Donald Trump dhe aleatët e lëvizjes MAGA kanë kaluar te një plan i ri: të ndalojnë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të grave shtatzëna që janë shtetase të huaja.

Kështu shkruan Axios, sipas të cilit kjo nismë do të hapte një betejë të re mbi emigracionin, të lidhur me shtatzëninë, udhëtimet dhe shtetësinë, duke e zhvendosur debatin nga kundërshtimi i të drejtave të fëmijëve të lindur në SHBA drejt kufizimit të atyre që mund të hyjnë në vend.

“Presidenti Trump mbetet plotësisht i angazhuar për të mbrojtur vlerën e shtetësisë amerikane të fituar në lindje. Pikërisht për këtë arsye, pas vendimit të Gjykatës Supreme, ai i ka kërkuar Kongresit të ndërhyjë menjëherë për të trajtuar këtë çështje”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson.

“Departamenti i Drejtësisë do t’u japë gjithashtu përparësi hetimeve ndaj rasteve të ashtuquajtura të ‘turizmit të lindjes’. Administrata Trump ka në dispozicion shumë mjete për të mbrojtur shtetësinë amerikane”, shtoi ajo.

“Në fakt, ligjet penale të Shteteve të Bashkuara tashmë ndalojnë shumë prej praktikave që lidhen me këto skema të ashtuquajtura të ‘turizmit të lindjes. Për shembull, shumë nga këto skema nisin me një kërkesë të rreme për vizë, duke gënjyer për qëllimin ose kohëzgjatjen e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

.I ashtuquajturi “turizëm i lindjes” ndodh kur vizitorët udhëtojnë drejt SHBA-së posaçërisht për të lindur atje, në mënyrë që fëmija i tyre të përfitojë shtetësinë amerikane.

Qeveria amerikane, kujton Axios, nuk mban statistika zyrtare për numrin e fëmijëve të lindur nga prindër të huaj, por vlerësimet e jashtme flasin për 20.000 deri në 26.000 raste në vit.

Për të kuptuar përmasën e fenomenit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjatë vitit 2025 në Shtetet e Bashkuara lindën rreth 3,6 milionë fëmijë, çka e bën “turizmin e lindjes” një fenomen relativisht të rrallë. /ATSH-ANSA/

Read Previous

Martinez: Tani nis një botëror i ri për Portugalinë

Read Next

A ishin pushimet për hidratim vendimtare në fitoren e Anglisë?