Mbreti Charles III nuk do të zhvendoset për të jetuar në Pallatin Buckingham pas përfundimit të programit 10-vjeçar të restaurimit, me vlerë 369 milionë paund.
Vendimi vjen në kuadër të përpjekjeve të monarkisë britanike për ta bërë ndërtesën historike më të aksesueshme për publikun.
Zyrtarët mbretërorë theksuan se Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre nga Pallati Buckingham, i cili do të mbetet “qendra ceremoniale dhe operative” e monarkisë.
Megjithatë, gjatë pjesës së mbetur të mbretërimit të Charles, çifti mbretëror do të vazhdojë të banojë në Clarence House, që ndodhet pranë pallatit.
“Është dhe do të mbetet selia e monarkisë, xhevahiri i kurorës së ndërtesave tona kombëtare”, deklaroi James Chalmers, zyrtari i lartë përgjegjës për menaxhimin e financave të mbretit.
Vendimi u bë publik të enjten gjatë prezantimit të financave mbretërore, ku Charles u bë monarku i parë britanik që publikoi shumën e taksave të paguara ndaj shtetit.
Ai pagoi 12.9 milionë paund taksa mbi të ardhurat dhe fitimet kapitale për vitin financiar 2024-2025, nga 11.7 milionë paund një vit më parë.
Njoftimet vijnë në një kohë kur familja mbretërore po përpiqet të ndryshojë vëmendjen e publikut pas muajsh titujsh negativë lidhur me marrëdhëniet mes ish-princit Andrew, tashmë i njohur si Andrew Mountbatten-Windsor, dhe të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Këto zhvillime kanë zbehur përpjekjet e Mbretit Charles për të modernizuar monarkinë dhe për të treguar se institucioni mijëravjeçar mund të përshtatet me kohën.
I ndërtuar në vitin 1703 dhe i shndërruar në pallat mbretëror në vitet 1820, Pallati Buckingham ka qenë rezidenca londineze e çdo monarku britanik që nga koha e Mbretëreshës Victoria. Me 775 dhoma, pallati shërben si seli administrative e monarkisë dhe pret darka shtetërore për presidentë dhe udhëheqës të huaj.
Pallati është gjithashtu një simbol i rëndësishëm për publikun britanik. Turmat mblidhen shpesh përpara ballkonit të tij të famshëm për të festuar ngjarje historike, si përfundimi i luftërave, martesat mbretërore apo jubile të rëndësishme, si 70-vjetori i mbretërimit të Mbretëreshës Elizabeth II. Ai shërben gjithashtu si sfond për paradat zyrtare përgjatë bulevardit ceremonial “The Mall”.
Megjithatë, pas dekadash përdorimi, Pallati Buckingham kishte nisur të shfaqte shenja të dukshme amortizimi.
Në vitin 2017, familja mbretërore nisi një program restaurimi 10-vjeçar për të rinovuar sistemet e vjetruara të ujësjellësit, instalimet elektrike dhe ngrohjen, si dhe për të modernizuar ndërtesën, në mënyrë që ajo të vazhdojë të shërbejë si seli e monarkisë edhe për të paktën 50 vite të tjera. Projekti pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Megjithatë, Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla kanë vendosur të vazhdojnë të jetojnë në Clarence House, rezidencën pranë Pallatit Buckingham, ku Charles ka banuar që prej kohës kur mbante titullin Princ i Uellsit.
Sipas James Chalmers, ky vendim do t’i lejojë Pallatit Buckingham të zgjerojë aksesin për publikun, duke organizuar më shumë aktivitete, si dhe duke rritur numrin e vizitorëve dhe tureve të hapura për ndërtesën historike. Aktualisht, pallati mirëpret rreth 700 mijë vizitorë çdo vit. /tvklan.al