Shqipëria dhe Kosova, dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë

Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, përmes nënshkrimit të dy marrëveshjeve sot në Tiranë.

Marrëveshjet u nënshkruan në kuadër të vizitës në Tiranë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla theksoi se nënshkrimi i dy marrëveshjeve të bashkëpunimit nëpërmjet ministrive përfaqëson një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Ministri siguroi po ashtu për vullnetin e përbashkët për ta kthyer këtë bashkëpunim në iniciativa konkrete dhe rezultate të prekshme për qytetarët.

“Këto marrëveshje vijnë në vijim të takimit të zhvilluar në prill në Prishtinë dhe përbëjnë një hap të rëndësishëm në konkretizimin e angazhimeve të marra nga të dyja palët. Marrëveshjet materializojnë bashkëpunimin tonë në dy drejtime strategjike. Së pari, në zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore, transferimin e teknologjive dhe nxitjen e inovacionit në bujqësi. Së dyti, në hartimin e një qasjeje të përbashkët për marketingun, promovimin, lehtësimin e tregtimit të produkteve agroushqimore”, shtoi Salla.

Bujqësia, sipas ministrit Salla, mbetet një sektor me rëndësi strategjike për dy vendet tona, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies së komuniteteve rurale, krijimin e vendeve të punës dhe garantimin e sigurisë ushqimore.

Për këtë arsye, Salla theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në interes të fermerëve dhe sipërmarrësve agroushqimorë.

“Marrëveshja për marketingun dhe promovimin e produkteve agroushqimore synon rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve tona, si dhe forcimin e pranisë së tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare”, shtoi ministri Salla.

Sipas tij, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, synohet koordinimi i aktiviteteve promovuese dhe pjesëmarrja në panaire, si dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomikë në të dy vendet.

Ndërkohë marrëveshja për shërbimin këshillimor, transferimin e teknologjive dhe inovacionit synon modernizimin e sektorit bujqësor përmes forcimit të kapaciteteve profesionale, bashkëpunimin e njohurive dhe praktikave më të mira, përmirësimin dhe digjitalizimin e shërbimeve për fermerët si dhe mbështetjen e tyre me teknologji dhe zgjidhje inovatore që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

Salla theksoi se këto instrumenta bashkëpunimi hapin gjithashtu mundësi të reja për pjesëmarrjen në projekte të Bashkimit Europian.

Ministri shprehu bindjen se këto marrëveshje do të sjellin rezultate konkrete dhe afatgjata në sektorin agroushqimor në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe do të shërbejnë si një bazë e fortë bashkëpunimi në të ardhmen. /ATSH/

Read Previous

“Obsession”, premiera e kësaj jave në Kino “Hyrije Hana”

Read Next

“Jam qytetar i Berlinit”, 63 vjet nga fjalimi i famshëm i John F. Kennedy