ASK: Konsumi i energjisë elektrike u rrit mbi 5 për qind në prill
Pas përmbushjes së benchmark-eve të ndërmjetme për Klasterin 1 “Themeloret”, Shqipëria po hyn në një fazë të re të procesit të integrimit evropian, atë të përgatitjes për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.
Sipas dokumenteve të Këshillit të Bashkimit Evropian, grupi i punës për zgjerimin dhe vendet negociuese (COELA) do të vijojë shqyrtimin më 17 qershor të draft-pozicioneve të përbashkëta për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Bëhet fjalë për tre kapituj që konsiderohen ndër më pak kompleksët teknikisht dhe që prej muajsh përmenden në Bruksel si kandidatët më të mundshëm për t’u mbyllur të parët në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.
Për secilin prej këtyre kapitujve është planifikuar një “exchange of views“, pra një diskutim fillestar mes shteteve anëtare mbi draft-pozicionet e përbashkëta të përgatitura nga Komisioni Evropian.
Megjithëse procedura nuk nënkupton automatikisht mbylljen e kapitujve, ajo shënon fillimin formal të procesit politik që duhet të çojë drejt një pozicioni të unifikuar të 27 shteteve anëtare.
Burime evropiane kanë bërë të ditur për Albanian Post se zakonisht nevojiten disa raunde diskutimesh përpara se të arrihet konsensusi i nevojshëm, çka e bën presidencën irlandeze të Këshillit të BE-së, e cila nis në gjysmën e dytë të vitit, periudhën më të mundshme për një vendim mbi mbylljen e kapitujve të parë.
Nëse kjo ndodh, Shqipëria do të kalonte nga faza e hapjes së grup-kapitujve në fazën e mbylljes së tyre, duke regjistruar një tjetër moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit.
Qeveria shqiptare ka vendosur si objektiv përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Mbyllja e kapitujve të parë do të konsiderohej testi i parë konkret nëse ky afat ambicioz mund të realizohet.
Aktualisht Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave brenda një periudhe rekord prej rreth 13 muajsh, zhvillim që është vlerësuar pozitivisht nga institucionet evropiane dhe raportuesit e Parlamentit Evropian për vendin. /Albanianpost.com