FBI: Parandalohet një sulm i planifikuar ndaj eventit të UFC në Shtëpinë e Bardhë

Autoritetet amerikane kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për një komplot që synonte eventin UFC të zhvilluar të dielën në oborrin jugor të Shtëpisë së Bardhë, ku mori pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë, sulmi i planifikuar përfshinte përdorimin e dronëve të mbushur me eksploziv dhe pozicione snajperësh për të goditur objektiva me profil të lartë.

Të arrestuarit janë identifikuar si Tycen Proper (19 vjeç), Bryan Omar Roa (24), Michael Alan Thomas (32), Daniel K. Eskridge (32) dhe Abraham Hermosillo Alvarez (31). Ata u arrestuan në disa shtete amerikane dhe akuzohen për komplot për të kryer vrasje. Nëse shpallen fajtorë, përballen me dënime deri në burgim të përjetshëm.

Sipas dokumenteve gjyqësore, plani parashikonte që dronët të godisnin zona pranë eventit për të shkaktuar panik. Ndërsa turma do të largohej, snajperët do të hapnin zjarr ndaj personave që konsideroheshin “objektiva me vlerë të lartë”.

Një fazë e dytë e sulmit dyshohet se synonte hyrjen me forcë në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë.

Hetimi nisi pasi nëna e Proper kontaktoi policinë më 10 qershor, e shqetësuar për blerjet e armëve dhe komunikimet e tij online me një grup që shprehte pikëpamje antiqeveritare dhe ultra-fetare. FBI thotë se grupi kishte diskutuar nisjen e një “revolucioni” kundër qeverisë amerikane.

Dokumentet e hetimit tregojnë se objektiva të mundshëm përfshinin presidentin Trump, zëvendëspresidentin JD Vance, kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe sipërmarrësin Elon Musk, megjithëse jo të gjithë ishin të pranishëm në aktivitet.

FBI deklaroi se komploti u zbulua katër ditë para eventit dhe se një operacion shumë-shtetëror bëri të mundur arrestimet dhe parandalimin e sulmit.

Ky rast vjen në një periudhë kur ekspertët raportojnë rritje të incidenteve të dhunës politike në Shtetet e Bashkuara. /Albanianpost.com

Shënim: Akuzat janë ende në fazën paraprake. Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet në gjykatë.

Read Previous

Xherdan Shaqiri paralajmëron largimin nga Baseli

Read Next

BE-ja vijon shqyrtimin e tre kapitujve negociues të Shqipërisë