Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar edhe një herë nga Qeveria në detyrë që ta shqyrtoj vendimin për përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një reagim publik, Oda Amerikane vlerëson se përfshirja në rrjetin e LNG-së amerikane përbën një mundësi strategjike për Kosovën, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me varësi nga termocentralet e vjetruara dhe importet e energjisë elektrike.
Sipas këtij institucioni, diversifikimi i burimeve energjetike dhe forcimi i sigurisë së furnizimit janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin energjetik të vendit.
“Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në reagimin e Odës Amerikane.
Oda thekson se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë kanë shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në projektet rajonale të LNG-së, të cilat po mbështeten fuqishëm nga SHBA-ja.
Po ashtu, ajo rikujton se partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara mbetet një nga asetet më të rëndësishme të shtetit, duke paralajmëruar se mosmarrja parasysh e prioriteteve strategjike të aleatit kryesor mund të ketë pasoja afatgjata në raportet dypalëshe.
Përmes këtij reagimi, Oda Ekonomike Amerikane u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen në dialog me SHBA-në për këtë çështje, të cilën e konsideron me rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike dhe ekonomike të vendit. /RTKLive