BE vlerëson progresin e Shqipërisë në zbatimin e IPA dhe Planit të Rritjes
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se homologu i tij ukrainas do të marrë pjesë në samitin e G7-s, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Francë.
Ai ka thënë se ftesa për Zelenskyn bëhet për të “rindërtuar konsensusin” mbi mbështetjen për Ukrainën.
Ndërkohë, udhëheqësit e katër shteteve arabe do të ftohen për bisedime mbi konfliktin e Lindjes së Mesme, ka thënë Macroni.
Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar për “Le Monde” në maj se presidenti Donald Trump do të marrë pjesë poashtu.
Të ftuarit do të marrin pjesë në seancat të martën në samitin e Grupit të Shtatë ekonomive kryesore, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, që do të mbahet në vendpushimin francez buzë liqenit Evian, nga 15 deri më 17 qershor.
Pjesëmarrja e presidentit, Volodymyr Zelensky “është shumë e rëndësishme për ne sepse duhet të rindërtojmë konsensusin brenda G7-s në mbështetje të Ukrainës mbi aspektet e ndryshme të luftës” me Rusinë, duke përfshirë nevojën për “negociata”, ka thënë Macroni, një referencë për opinionet e ndryshme midis udhëheqësve evropianë dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Për të adresuar luftën e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit në fund të shkurtit, udhëheqësit e Egjiptit, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të ftohen gjithashtu në një seancë të veçantë të martën.
Bisedimet do të përqendrohen në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, e cila ka “një ndikim të vërtetë në ekonomitë tona” për shkak të çmimeve në rritje të karburantit, dhe në “negociatat mbi Iranin”, ka thënë Macroni. Ai i ka bërë këto komente gjatë një diskutimi me përfaqësuesit e shoqërisë civile në pallatin presidencial Elysée.
Pas një darke për udhëheqësit e G7-s të hënën dhe dy seancave të përqendruara në krizat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, “partneriteti Veri-Jug” do të jetë në agjendë po ashtu, ka shtuar Macroni.
“Përveç FMN-së, Bankës Botërore dhe Bankës Afrikane të Zhvillimit, ne do të sjellim në këtë seancë partnerë me të cilët kemi ndërtuar këtë agjendë, në veçanti Korenë e Jugut, Indinë, Kenian dhe Brazilin”, ka thënë po ashtu Macroni.
Samiti do të përfshijë gjithashtu diskutime me kompani teknologjike nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. /Koha.net/