Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, pasi ushtroi të drejtën e votës, e ka cilësuar ditën e zgjedhjeve si festë të demokracisë dhe ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive në votime.
“Zgjedhjet janë festë për popullin tonë, janë festat e demokracisë, e shprehjes së lirë, e vullnetit të popullit të Kosovës. Sot presim të kemi zgjedhje të mira dhe demokratike”, deklaroi Abdixhiku.
Ai vlerësoi punën e institucioneve dhe akterëve të përfshirë në procesin zgjedhor, duke përfshirë komisionerët, vëzhguesit, Prokurorinë, Policinë e Kosovës, KQZ-në dhe mediat.
“Janë të gjitha kushtet që populli i Kosovës të vendosë fatin për katër vitet e ardhshme. Sot, brenda 12 orëve, vendoset fati i Republikës, prandaj çdo votë ka rëndësi”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi pritjet për pjesëmarrje të lartë në zgjedhje dhe zhvillim të rregullt të procesit zgjedhor. /RTKLive