Mbi 100 prokurorë të angazhuar në mbrojtje të votës

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që mbahen sot, më 7 qershor 2026, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në njoftim bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.

“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Read Previous

Këto janë adresat e 38 qendrave të votimit me kusht