Ivanka Trump për Sazanin: Ishulli që na magjepsi dhe mund të bëhet projekti i jetës sonë

Ivanka Trump ka folur për herë të parë gjerësisht mbi projektin turistik që ajo dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, po zhvillojnë në ishullin e Sazanit, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha dhe më emocionuese të jetës së saj profesionale.

Gjatë një interviste në podcastin e David Senra-s, Ivanka Trump rrëfeu se historia e projektit nisi krejt rastësisht, gjatë një udhëtimi me miq në Mesdhe.

“Po udhëtonim me jahtin e një miku dhe u ndalëm për të notuar. Praktikisht kështu e zbuluam. Notuam drejt ishullit, bëmë një ecje zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur. Ai vend na qëndroi në mendje që prej asaj dite”, tregoi ajo.

Sipas Ivanka Trump, pas disa vitesh u krijua mundësia për të zhvilluar projektin, të cilin e përshkroi si një sipërmarrje me përmasa të jashtëzakonshme.

“Nuk ka energji elektrike në ishull. Po ndërtojmë gjithçka nga e para. Është një ishull privat prej 1 mijë e 400 hektarësh në mes të Mesdheut”, tha ajo.

Ivanka Trump theksoi se projekti nuk shihet prej saj vetëm si një investim biznesi, por si një mundësi për të krijuar diçka unike, duke respektuar natyrën dhe karakterin e zonës.

“Territori është aq i bukur sa arkitektura duhet të integrohet plotësisht me të, pothuajse të ngrihet prej vetë tokës”, u shpreh ajo.

Ajo zbuloi gjithashtu se projekti përfshin jo vetëm ishullin e Sazanit, por edhe rreth pesë milje vijë bregdetare përballë tij.

“Ne kemi jo vetëm ishullin, por edhe pesë milje plazh përballë tij, një gadishull të mrekullueshëm me lagunë në njërën anë dhe det në anën tjetër”, deklaroi Trump.

Duke folur për filozofinë që po udhëheq zhvillimin e projektit, ajo tha se po bashkëpunon me disa nga arkitektët më të njohur në botë dhe se synimi është krijimi i një destinacioni që kombinon estetikën, funksionalitetin dhe respektin për natyrën.

“Po ecja mbi terren së bashku me disa nga arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë. Njerëz me integritet absolut, që nuk bëjnë kompromis me vizionin e tyre”, tha ajo.

Në fund të bisedës, Ivanka Trump e përshkroi projektin në Sazan si një përmbledhje të gjithë eksperiencës së saj në fushën e pasurive të paluajtshme, udhëtimeve dhe reflektimeve personale mbi mënyrën se si njerëzit duan të jetojnë në të ardhmen.

“Për mua, ky projekt është kulmi i gjithë përvojës sime në pasuri të paluajtshme, i të gjitha udhëtimeve të mia dhe i reflektimeve mbi mënyrën se si duam të jetojmë”, u shpreh ajo. /Albanianpost.com

Read Previous

Shqipëria humbi mbi 27 mijë banorë në një vit

Read Next

BE-ja i kërkon Gjermanisë të heqë gradualisht kontrollet kufitare brenda zonës Shengen