Shqipëria humbi mbi 27 mijë banorë në një vit

Popullsia e Shqipërisë ka vijuar rënien edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Instat, më 1 janar 2026 vendi numëronte 2 milionë e 335 mijë e 930 banorë, ose 27 mijë e 384 banorë më pak krahasuar me një vit më parë.

Në terma përqindjeje, popullsia u tkurr me 1,16 për qind gjatë vitit të kaluar, duke konfirmuar trendin e vazhdueshëm të rënies demografike që po karakterizon Shqipërinë prej vitesh.

Sipas raportit, tkurrja e popullsisë është rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë: shtesës natyrore dhe migracionit neto.

Megjithëse gjatë vitit 2025 lindjet vijuan të ishin më të larta se vdekjet, bilanci natyror rezultoi pozitiv me vetëm 1 mijë e 147 persona.

Ndërkohë, emigracioni mbetet faktori kryesor që po zvogëlon popullsinë e vendit. Gjatë vitit të kaluar migracioni neto rezultoi negativ me 28 mijë e 531 persona, çka do të thotë se numri i atyre që largohen nga Shqipëria vijon të jetë ndjeshëm më i lartë se ai i personave që vendosen në vend.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se numri i lindjeve ka vijuar të bjerë. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 22 mijë e 541 lindje, nga 23 mijë e 310 që ishin një vit më parë. Edhe numri i vdekjeve shënoi rënie, duke kaluar nga 22 mijë e 102 në 21 mijë e 394.

Raporti evidenton edhe plakjen graduale të popullsisë shqiptare. Mosha mediane e popullsisë u rrit nga 44,3 vjeç në 45 vjeç, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve u rrit nga 33,3 për qind në 35,7 për qind.

Nga 12 qarqet e vendit, vetëm Tirana regjistroi rritje të popullsisë gjatë vitit 2025, me 0,7 për qind. Në anën tjetër, rëniet më të mëdha u shënuan në qarqet e Kukësit dhe Shkodrës, përkatësisht me 2,59 për qind dhe 2,56 për qind.

Tirana vijon të mbetet qarku më i populluar i vendit, duke përqendruar rreth 32,8 për qind të popullsisë së Shqipërisë. Pas saj renditen Fieri me 9,7 për qind, Elbasani me 9,5 për qind dhe Durrësi me 9,4 për qind të popullsisë totale. /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA planifikon rritjen e dislokimit të avionëve me bomba bërthamore në Evropë

Read Next

Ivanka Trump për Sazanin: Ishulli që na magjepsi dhe mund të bëhet projekti i jetës sonë