Jurgen Uldedaj kërkon ta mbroj sonte titullin e botës në boks, përballet me Austine Nnamdi

Sonte (e shtunë) të gjithë sytë e tifozëve shqiptarë do të jenë drejt Londrës, aty ku Jurgen Uldedaj do të zhvillojë njërin prej meçeve më të rëndësishme të karrierës së tij profesionale. Boksieri shqiptar do të përballet me britanikun Austine Nnamdi për titullin botëror IBO në kategorinë Cruiserweight.

Pas viteve të tëra sakrifice, stërvitjesh dhe fitoreve të ndërtuara me mund, Uldedaj ndodhet vetëm një hap larg momentit që mund ta ndryshojë përgjithmonë karrierën e tij dhe ta vendosë në elitën e boksit botëror.

Përballë tij do të jetë një kundërshtar i fortë dhe ambicioz, por shqiptari ka treguar vazhdimisht se di të përballojë presionin në netët më të mëdha. Pikërisht për këtë arsye, shumë tifozë besojnë se sonte mund të jetë nata kur flamuri shqiptar do të valëvitet në majën e boksit profesionist.

Arena legjendare e Wembleyt do të jetë skena ku do të vendoset gjithçka. Një fitore do t’i sillte Uldedajt mbrojtjen e titullin botëror dhe do ta shndërronte atë në një nga historitë më të mëdha të sportit shqiptar në vitet e fundit.

90 minuta, disa raunde dhe një mundësi që vjen rrallë në jetë. Jurgen Uldedaj sonte nuk bokson vetëm për veten, por për një ëndërr që e ndjek çdo sportist shqiptar që synon majën e botës.

Kundërshtari i tij është Austine Nnamdi, pasi Muhsin Cason u detyrua të tërhiqej për arsye mjekësore dhe meçi i shumëpritur pritet të fillojë nga ora 23:30 me kohën tonë lokale. 

Jurgen Uldedaj para sfidës për mbrojtjen e titullin të botës: Fitore, fitore, fitore – me çdo kusht fitore

Jurgen Uldedaj ka dërguar një mesazh të qartë dhe plot besim vetëm pak para përballjes së madhe ndaj Austine Nnamdit për mbrojtjen e titullit të botës IBO në kategorinë cruiserweight.

Boksieri shqiptar nuk e fshehu entuziazmin për sfidën që e pret në “OVO Arena Wembley”, duke theksuar se objektivi i tij afatgjatë mbetet dominimi i plotë i kategorisë dhe fitimi i të gjithë titujve më të rëndësishëm.

“Karriera perfekte për mua është të bëhem kampion i padiskutueshëm në kategorinë time. Tani dua vetëm ta mbroj titullin më 30 maj. Pastaj pse jo një meç unifikues? Kjo është mbrojtja ime e parë e titullit dhe jam shumë, shumë i lumtur. Jam jashtëzakonisht i emocionuar”, ka deklaruar fillimisht Uldedaj, përcjell Telegrafi.

Boksieri shqiptar foli me krenari edhe për mbështetjen që vazhdimisht merr nga bashkatdhetarët e tij, duke zbuluar se në Londër pret një prani të madhe të tifozëve shqiptarë që do ta mbështesin drejt një tjetër nate historike.

“Një numër i madh shqiptarësh do të vijnë për të më mbështetur. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë pranë meje. Unë i dua njerëzit e mi, mbështetësit e mi. Ata janë zjarr. Kur jam në ring i dëgjoj duke më brohoritur dhe kjo është një ndjenjë shumë emocionuese”, shtoi boksieri shqiptar.

Megjithatë, deklarata më e fortë e Uldedajt erdhi kur u pyet se si e sheh fundin e mbrëmjes së 30 majit. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër, por e mbushur me vetëbesim.

“Fitore, fitore, fitore. Me çdo kusht fitore. Nuk ka rëndësi si, por ne do të fitojmë. Jemi gati. Nuk mund të them shumë, por më besoni, jemi gati. Kemi punuar fort”, përfundoi djaloshi nga Lezha.

Tashmë gjithçka është gati për një nga netët më të rëndësishme të karrierës së Uldedajt. Një fitore ndaj Nnamdit jo vetëm që do t’i siguronte mbrojtjen e parë të suksesshme të titullit botëror, por do ta afronte edhe më shumë shqiptarin me ëndrrën e madhe për t’u bërë kampion i padiskutueshëm i kategorisë cruiserweight. /Telegrafi/

Read Previous

Hegseth: Çfarëdo marrëveshje paqeje me Iranin do të jetë marrëveshje e mirë

Read Next

A po synon BE-ja ta bëjë udhëtimin me tren po aq të lehtë sa me aeroplan?