GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar për qasjen e pabarabartë të institucioneve shtetërore ndaj punëtorëve në Kosovë, duke theksuar se po krijohet një dallim gjithnjë e më i dukshëm mes sektorit publik dhe atij privat.
“Qeveria e Kosovës nuk mund të ndërtojë politika sociale dhe ekonomike të qëndrueshme duke favorizuar vetëm një pjesë të punëtorëve, ndërsa lë anash sektorin që mban barrën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe mbushjes së buxhetit të shtetit”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Sipas të dhënave të tyre, në Kosovë janë rreth 320–330 mijë të punësuar në sektorin privat, ndërsa rreth 90 mijë në sektorin publik.
AKB sqaron se sektori privat mbetet kontribuuesi kryesor në të hyrat buxhetore përmes tatimeve, TVSH-së, kontributeve pensionale si dhe aktivitetit ekonomik në prodhim, tregti dhe shërbime.
“Nëse llogaritet një pagë e 13-të ose shpërblim me mesatare rreth 780 euro për rreth 90 mijë punonjës të sektorit publik, kostoja për buxhetin vlerësohet të jetë rreth 70 milionë euro. Ndërkohë, një mbështetje prej vetëm 100 euro për rreth 330 mijë punëtorë të sektorit privat do të kushtonte rreth 33 milionë euro, ose afërsisht gjysmën e kostos së një mase të tillë për sektorin publik”.
Aleanca ngre pyetjen se si mund të justifikohet, një trajtim i tillë i diferencuar nga buxheti i shtetit.
“Punëtori i sektorit privat nuk është qytetar i rendit të dytë. Ai është po aq taksapagues, votues dhe konsumator sa edhe punëtori i sektorit publik. Ai paguan TVSH në çdo produkt që blen, kontribuon në fondet pensionale, mban familjen, krijon qarkullim ekonomik dhe merr pjesë në zhvillimin e vendit”.
Në reagim, AKB paralajmëron se krijimi i standardeve të ndryshme për kategori të ndryshme të punëtorëve mund të prodhojë pasoja sociale dhe ekonomike. Gjithashtu, shton se nuk është kundër mbështetjes së sektorit publik, por kërkon qasje më të balancuar dhe politika që përfshijnë edhe sektorin privat.
Qeveria e Kosovës kishte ekzekutuar pagat e 13-të për punonjësit e sektorit publik gjatë muajit mars. Mirëpo, ky vendim, megjithatë, ka shkaktuar pakënaqësi tek punëtorët e sektorit privat, të cilët ndiheshin të diskriminuar, duke argumentuar se edhe ata përballen me shpenzime të ngjashme dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së vendit. /Albanianpost.com