​Gjenerali amerikan i Gardës së Ajovës rikonfirmon vazhdimin e mbështetjes për FSK-në

Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se agjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës (zyrtari më i lartë administrativ i saj), gjeneral majori Stephen Osborn, ka përfunduar një vizitë disa ditore në FSK, të cilën e vlerësoi për progresin që ka bërë, ndërsa premtoi se shteti i tij do të vazhdojë të punojë për forcimin e ushtrisë së Kosovës.

Mysafiri amerikan u prit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari me të cilin, siç thuhet në një njoftim zyrtar, u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, “i cili u vlerësua si shumë i suksesshëm”.

Osborn ka vizituar edhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u informua për zhvillimet kryesore në ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe aktivitetet trajnuese. Diskutimet u fokusuan në prioritetet kryesore dhe planifikimin e përbashkët për të ardhmen.

Gjithashtu, Gjeneral Osborn vizitoi edhe Gardën Kombëtare të Kosovës, ku iu prezantuan kapacitetet specialistike, sfidat aktuale dhe objektivat zhvillimore të kësaj strukture. Në këtë kuadër, u shqyrtuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të specializuara.

Njoftimi i FSK-së thotë se gjenerali Osborn falënderoi gjenerallejtënant Jasharin për pritjen dhe vlerësoi progresin e arritur nga FSK-ja, duke rikonfirmuar mbështetjen për avancimin e mëtejmë të kapaciteteve operacionale në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor. /KosovaPress/

Read Previous

Haxhiu: Uroj të arrihet konsensus për presidentin, vendi të mos detyrohet të shkojë në zgjedhje

Read Next

Orari i xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll