Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Lideri i partisë opozitare, Tisza, Peter Magyar, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, ndërsa ish-kryeministri Viktor Orbán e ka pranuar humbjen, duke e quajtur të dhimbshëm rezultatin e zgjedhjeve.
Magyari është projektuar të marrë 2/3 e ulëseve në Parlamentin e Hungarisë të përbërë nga 199 deputetë. Kur janë numëruar rreth 96 për qind të votave, Tisza parashihet të marrë 138 ulëse, karshi 55 sa do t’i marrë Fidesz e 6 Mi Hazank.
Peter Magyar i cili i fitoi zgjedhjet parlamentare, tha se se fitorja në zgjedhje e ka ‘çliruar’ Hungarinë.
“Ne ia dolëm”, thotë Magjari nën brohoritjet e turmës në Budapest, duke shtuar: “Tisa dhe Hungaria fituan këto zgjedhje”.
Ai vazhdon: “Së bashku, ne e çliruam Hungarinë dhe e rrëzuam regjimin e Orbánit”.
“Kukullat e qeverisë Orban duhet të largohen dhe institucionet e shtetit duhet të ndryshojnë”, është shprehur ai.
Kurse, Orban u ka thënë përkrahësve të tij se “e ka uruar partinë fituese”.
“Ne do t’i shërbejmë kombit hungarez dhe vendit tonë edhe nga opozita”, tha Orban.
Në Budapest, por edhe në qytete tjera të Hungarisë ka pasur festë pas fitores së Tiszas.
E partia e Magyarit ka marrë urime, përfshirë nga kancelari gjerman Friedrich Merz e presidentin francez Emmanuel Macron.
Hungaria ka një sistem të përzier zgjedhor, ku vota për parti ndan 93 ulëse në mënyrë proporcionale, ndërsa 106 mandate vijnë nga qarqet individuale dhe shpesh janë vendimtare për shumicën parlamentare.
Dalja në votime e popullsisë ka qenë 77.8%, duke shënuar një rekord të ri që nga viti 2002.
Procesi është ndjekur me vëmendje nga Bashkimi Evropian, ShBA, Ukraina dhe Rusia, ndërsa gjatë fushatës janë raportuar akuza të ndërsjella për ndërhyrje të jashtme.
Kush është Peter Magyar?
Peter Magyar, 45 vjeç, është një politikan konservator dhe ligjvënës në Parlamentin Europian. Ai u bë sfiduesi kryesor i Kryeministrit Viktor Orban të Hungarisë pas ndarjes nga partia qeverisëse, Fidesz, në vitin 2024, dhe kërcënoi ta rrëzojë Orbanin nga posti në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, të cilën gjë ia arriti sonte duke fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare.
Magyar, i cili studioi drejtësi, ishte një anëtar pak i njohur i partisë së Orban për më shumë se dy dekada, duke shërbyer si diplomat në Bruksel dhe duke mbajtur pozicione të larta në agjencitë shtetërore. Ai ishte i martuar me Judit Varga, një figurë kryesore e Fidesz, deri në vitin 2023.
Magyar u bë i famshëm në vitin 2024 pasi u nda nga Orban për shkak të një skandali politik të shkaktuar nga zbulimet se një burrë i dënuar për mbulimin e abuzimit seksual në një shtëpi fëmijësh ishte falur.
Atë vit, Magyar krijoi Tisza, një lëvizje politike të re që fitoi 30 përqind të votave në Hungari gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
Fushata e tij është nxitur kryesisht nga zemërimi i përhapur publik për korrupsionin, veçanërisht keqpërdorimin e miliarda eurove nga fondet e BE-së, dhe shqetësimi për rritjen e ngadaltë ekonomike të Hungarisë.
Ai ka premtuar të përmirësojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, i cili ka bllokuar fondet e zhvillimit për Hungarinë mes pohimeve se Orban ka minuar institucionet demokratike.
Magyar është përqendruar në standardet e jetesës dhe çështje si sistemi i rrënuar i kujdesit shëndetësor të Hungarisë. Por ai është shmangur nga çështje si të drejtat LGBTQ dhe ka heshtur për ndalimin e paradës së Krenarisë në Budapest vitin e kaluar. Dhe ndërsa ai ka kritikuar animin 3 Orban drejt Rusisë duke theksuar historinë e gjatë të Moskës në ngacmimin e Hungarisë, ai ka shmangur të flasë për luftën në Ukrainë. /Reporteri.net/.