Pesë raste të vjedhjeve të rënda brenda 24 orëve në Kosovë

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të vjedhjeve të rënda në rajone të ndryshme të vendit, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në banesa dhe objekte, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke marrë para, ari dhe pajisje të ndryshme.

Në Prishtinë, në rrugën “Malush Kosova”, është raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në banesën e një qytetari dhe dyshohet se kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti po hetohet.

Po ashtu, në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës, është raportuar se është vjedhur një trafo e energjisë elektrike e vendosur në shtyllë, ndërsa nga rezervuarët e kamionëve dhe makinerive të tjera dyshohet se është vjedhur edhe naftë.

Në një raport shtesë, Policia ka bërë të ditur se më 30 mars, pas hetimeve të zhvilluara, është arrestuar një person i dyshuar për një vjedhje të rëndë të ndodhur më 18-19 janar në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ku ishte vjedhur një sasi e konsiderueshme ari nga një lokal. Nga i dyshuari është sekuestruar edhe një veturë që dyshohet se është përfituar nga vepra penale, ndërsa ai është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Gjilan, në rrugën “Enver Rexhepi”, persona të panjohur kanë depërtuar me forcë përmes dritares në objektin e një kompanie dhe kanë vjedhur fije metalike bakri. Rasti është inicuar dhe mbetet në hetime.

Një tjetër rast është raportuar edhe në Ferizaj, ku persona të panjohur dyshohet se kanë vjedhur para nga një arkë, si dhe kanë dëmtuar dy dyer duke shkaktuar dëme materiale.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u hetuar në koordinim me prokurorinë kompetente. /RTKLive

Read Previous

Peci: Ndarjet etnike pengojnë zhvillimin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës

Read Next

Federata thirrje tifozëve: Të gjithë në këmbë, të jemi lojtari i 12-të