Lionel Messi shënon golin e 900-të në karrierën e tij

Superylli argjentinas, Lionel Messi shënoi golin e 900-të në karrierën e tij të shkëlqyer të mërkurën mbrëma, por nuk mundi ta ndalonte Inter Miamin të eliminohej nga Kupa e Kampionëve CONCACAF për shkak të golave të shënuar si mysafir pas një barazimi 1-1 me Nashville.

Messit, 38 vjeç, iu deshën vetëm shtatë minuta për të arritur këtë rekord, duke shënuar me qetësi një gol për t’i dhënë Inter Miamit epërsinë 1-0 në ndeshjen eliminatore të garës rajonale të klubeve.

Por, Cristian Espinoza i Nashville shënoi me shpejtësi një gol barazimi në minutën e 74-të për ta bërë rezultatin 1-1 në total, dhe pasi e mbajtën Miamin në distancë për pjesën e mbetur të ndeshjes, vizitorët nga Tennessee u kualifikuan në çerekfinale me rregullin e golave të shënuar si mysafirë.

Ky gol e çoi numrin e golave të Messit në 81 sosh për Inter Miamin pas transferimit të tij në Major League Soccer në vitin 2023.

Fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë më parë kishte shënuar 672 gola për gjigantët spanjollë të Barcelonës, 32 gola për Paris Saint-Germain të Francës dhe 115 gola të tjerë ndërkombëtarë për Argjentinën.

Goli i 900-të i Messit vjen rreth 21 vjet pas golit të tij të parë në futbollin senior, kur shënoi për Barcelonën në një fitore 2-0 ndaj Albacetes në vitin 2005 si një 17-vjeçar i ri.

Messi, i konsideruar gjerësisht si lojtari më i madh në historinë e futbollit, ka ende shumë punë për të bërë përpara se të arrijë rivalin e tij të madh Cristiano Ronaldon, yllin 41-vjeçar portugez i cili ka shënuar 965 gola në karrierën e tij.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Alarmohen autoritetet në SHBA, dron mbi bazat ku qëndron Rubio dhe Hegseth

Read Next

Turqia thotë se “NATO po sjell më shumë mbrojtje” pas rrëzimit të raketave që Ankaraja thotë se u qëlluan nga Irani