Dragan Ristiq lirohet nga akuza për krime lufte në komunën e Gjakovës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar Dragan Ristiqin nga akuza për krime lufte në komunën e Gjakovës.

Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën, më 18.03.2026, nga gjyqtari Rrahman Beqiri.

Gjykata bëri të ditur se të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit dhe ai lirohet për t’u mbrojtur në liri.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Beqiri dha një arsyetim të shkurtër. Ai tha se gjykata nuk ka arritur të vërtetojë  – përtej dyshimit të bazuar mirë – se i pandehuri Ristiq ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Sipas gjyqtarit, e vetmja pikë e aktakuzës që e lidh të akuzuarin është ajo lidhur me keqtrajtimet.

Më tej, gjyqtari tha se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i akuzuari Ristiq ka qenë pjesëtar i forcave serbe, siç nuk është vërtetuar se ai ka marrë pjesë në kryerjen e këtyre krimeve.

Tutje, sipas Gjykatës nga provat e administuara në mënyrë te pakontestueshme janë vërtetuar ngjarjet e përshkuara në aktakuzë.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt civil, ndërsa palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Prezent në shpallje të aktgjykimit nuk ishte i akuzuari Dragan Ristiq.

Nga radhët e PSRK-së prezent ishte prokurori Armend Zenelaj dhe mbrojtësja e të akuzuarit Ristiq, avokatja Jovana Filipoviq.

Kujtojmë se në seancën e datës 06.03.2026 i akuzuari Dragan Ristiq kishte dhënë mbrojtjen e tij, ndërsa më 16.03.2026 nga palët në procedurë ishin dhënë fjalët përfundimtare.

Trupi gjykues në këtë çështje penale përbëhet nga Rrahman Beqiri (kryetar), Donikë Shala-Abdyli dhe Lutfi Shala (anëtarë).

Dosja e Prokurorisë

Prokuroria Speciale e Kosovës më 27.06.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Dragan Ristiqit për veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ngritur ndaj Dragan Ristiqit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në kohën e luftës në Kosovë, në territorin e qytetit të Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike e psikike, arrestime, vjedhje e shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në aktakuzë thuhet se më 10.05.1999, në rrugën “Bajram Curri” në Gjakovë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar edhe të armatosur, të ndarë në grupe të ndryshme, kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e M.D., ku kishin qenë duke qëndruar M.D., Dukagjin Dyla, bashkëshortja e tij, një fëmijë, si dhe dy të strehuar C.H. dhe I.L.

Tutje, në aktakuzë thuhet se ata i kishin urdhëruar fillimisht të dëmtuarit që të dilnin në oborr, mirëpo brenda kishte mbetur M.D., pastaj me të dalë në oborrin e shtëpisë, një polic serb i kishte ndaluar viktimat C.H. dhe I.L. dhe ua kishte kërkuar letërnjoftimet. Më pas njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë: “Ah, ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre dhe i kishte vrarë që të dy.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte M.D. dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë të cilët ishin në oborr kishin shtënë me armë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarve Florije Dyla, Dukagjin Dyla etj., duke i detyruar që të largohen nga shtëpia.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13.05.1999 Florije Dyla, bashkë me Sabrije Dylën dhe Humajun Dylën, ishin kthyer në shtëpi ku në korridor të shtëpisë e kishin gjetur të vrarë M.D., i cili e kishte pasur fytyrën e gjakosur, një plagë në gjoks, ndërsa në oborr kishin qenë të vrarë edhe C.H. dhe I.L., kufomat e të cilëve ishin gjetur pas luftës në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, kurse identifikimi i tyre ishte bërë përmes analizës së ADN-së.

Në dosjen e Prokurorisë, që e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se nga data 07 maj e deri më 10 maj 1999, në territorin e qytetit të Gjakovës, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, policore edhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare i pandehuri Dragan Ristiq kishte ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë – duke marrë pjesë aktive në ndalimin dhe ndarjen e dhunshme të meshkujve civilë shqiptarë nga familjet e tyre.

Në aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999 në pikën e kontrollit të improvizuar tek Ura e Islam Begut (Kulla e Avdullah Pashës), në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishin ndalur fillimisht veturën që e kishte drejtuar i dëmtuari Masar Caka, i kishin nxjerrë me forcë nga vetura të dëmtuarit Masar edhe Afrim Caka, u kishin kërkuar para dhe në mungesë të mjeteve monetare, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre; përfshirë goditje me grushte, shqelma dhe me kondakë armësh në prani të fëmijëve dhe familjarëve, si dhe kishin ndaluar e keqtrajtuar civilë të tjerë shqiptarë në të njëjtin vend pa ndonjë bazë ligjore apo procedurale.

Tutje, në aktakuzë thuhet se kishin ushtruar kontrollin mbi kolonën e civilëve të dëbuar, me qëllim selektimin dhe ndarjen e burrave për qëllime të mëtejshme represive, me ç’rast gjatë këtij aksioni u arrestuan të dëmtuarit Afrim Caka, Enver Dyla dhe u burgosën rreth 300 persona civilë të nacionalitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera, të cilët u mbajtën fillimisht në burgje të improvizuara – duke mos pasur trajtim human; duke u munguar edhe gjërat elementare, si: ushqim i rregullt, higjienë edhe kujdes shëndetësor dhe më pastaj një pjesë e të burgosurve ishin liruar. Rreth 150 prej tyre ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe në fund nga Burgu i Dubravës sipas aktakuzës u transferuan në burgjet e Serbisë, ku pas qershorit të vitit 1999 të dëmtuarit ishin liruar me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Në pikën e tretë të dispozitivit të parë thuhet se forcat policore dhe ushtarake serbe me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve dëbuan nga shtëpitë e tyre familjet Caka, Dyla dhe të gjitha familjet të cilat banonin në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës.

Në këtë pikë më tej thuhet se në ditën kritike pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë 3 persona.

Sipas aktakuzës, të njëjtit i kanë detyruar të gjithë banorët e lagjeve që t’u bashkohen kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.

Tutje, sipas pikës së katërt të kësaj aktakuze gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe të filluar më 7 maj 1999 dhe të përfunduar më 10 maj 1999, e ku bënte pjesë edhe i pandehuri Dragan Ristiq, u plaçkitën fillimisht shtëpitë e familjeve Caka, Dyla dhe të gjitha shtëpitë në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati”, dhe “Mithat Frashëri”, të qytetit të Gjakovës të nacionalitetit shqiptar dhe më pastaj u dogjën – duke u shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.

Me këto veprime i pandehuri Dragan Ristiq po akuzohet se ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile në bashkëkryerje.

Dragan Ristiq gjendet nën masën e paraburgimit.

Gjykimet për krimet e luftës

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu. /Kallxo.com

Read Previous

Cassano: VAR-i duhet të hiqet, nuk shërben për asgjë

Read Next

“Kemi gjasa reale për Botëror”, ish-kapiteni Anel Rashkaj flet para duelit me Sllovakinë